Më shumë se shtatë vite më parë, kur Ilir Meta ishte dukë lënë Berishën për t’u bashkuar në një koalicion “zemërthyes” me Edi Ramën, gazetari Mustafa Nano bëri thirrjen e famshme për bashkimin e gjithë qelbësirave, vetëm që të largohej Sali Berisha nga drejtimi i vendit.
Vetë Berisha e përdori me cinizëm gjatë fushatës këtë thirrje, për te demonizuar opozitën që kishte përballë dhe aleancën Rama-Meta, e etiketoi si “Aleancën e qelbësirave”.
Dhe kishte të drejtë, pasi bashkimi me njeriun që kishte të stampuar në ballë aferën më të pakundërshtueshme korruptive, të shfaqur në shtëpitë e kujtdo shqiptari me zë dhe figurë, çka më pas çoi dhe në vrasjen e 4 demonstruesve, ishte vërtet një qelbësirllëk politik.
Çfarë ndodhi më pas me “Aleancën e qelbësirave”, jemi dëshmitarë të gjithë: Nga qelbësirat nuk mund të vijë asgjë e mirë, dhe këtë gjë e provoi më së mirë edhe kjo aleancë.
Këtë të hënë, kjo aleancë e faneps sërish në Bulevard, këtë radhë për të rrëzuar Ramën, por personazhet kanë ndryshuar vendet (me përjashtim të Ilir Metës natyrisht, që është në ballë të çdo pisllëku politik).
Një nga këta gazetarët e afërt si me Berishën, ashtu edhe me Metën, proklamonte me krenari, se presidenti në largim, arriti që të bashkojë pas vetes përtej së majtës e së djathtës, socialistë e demokratë, komunistë e ballistë, lësistë e republikanë, grekë e çamë, madje dhe artistë e sportistë, për garniturë.
Me pak fjalë, siç do të shprehej Mustafa Nano, çdo qelbësirë të mundshme, për të rrëzuar Edi Ramën e për të krijuar “Aleancën e qelbësirave” numër 2.
Se emër tjetër, me Metën, Berishën, Bashën, Kryemadhin, Mediun, Dulen, Ndokën, Dukën etj, për të mos përmendur edhe gazetarët e analistët që kanë pas vetes, nuk mund t’i vësh këtij konglomerati të pangjyrë, që të përbashkët ka dëshirën për të përzënë Ramën nga pushteti dhe pse jo, edhe këta ndërkombëtarët punëprishës, që duan me domosdo të vënë në zbatim atë që iu ka prishur gjumin këtyre sovranistëve tanë, reformën në drejtësi.
Dikush shkruante, po, e dimë që Ilir Meta është qelbësirë –përcaktim i imi ky – dhe ka mëkatet e tij mbi kurriz, por në këtë rast ka të drejtë dhe duhet mbështetur, pasi ai, Edi Rama është duke zaptuar gjithë pushtetet, organet e drejtësisë mbi të gjitha (frika e tyre e madhe janë pikërisht ato).
Tani jo se Rama me të tijtë janë më të mirë se këta-ndoshta janë edhe më keq- vërtet besoni se këtë vend mund ta shpëtojnë Meta me Berishën?
Po a nuk janë këta, që kanë vjedhur e kanë korruptuar në çdo qelizë këtë vend (ndërsa isha duke shkruajtur këto radhë, TCH transmetonte pamjet e vilave të tyre në Lalëz, vlera e të cilave shkonte minimumi 5 milionë euro)?!
A nuk janë këta që kanë vrarë, fizikisht po se po, por edhe shpirtërisht, shpresën e shumë shqiptarëve, se ky vend mund të bëhet ndonjëherë?!
A nuk janë këta, që kanë shitur çdo pasuri të këtij vendi, për të marrë 3 dhe 7 përqindëshin e tyre dhe tani duan të kthehen edhe një herë tjetër, për të na shpëtuar?!
Atëhere çfarë, ende pas 30 vitesh, tek këta do t’i kemi sytë dhe shpresën, se do të na shpëtokan dhe sigurokan një jetë më të mirë këtu, për të mos marrë rrugët e Europës dhe botës?!
Nuk u gjetka dot një politikan normal, sa u dashka shkuar pas çdo qelbësire, në luftën e tyre kundër ca qelbësirave të tjera, dhe herë duhet të ndjekim Berishën e piramidave, pastaj Nanon e koncensioneve, pastaj prapë Berishën e Argitës dhe Shkëlzenit, pastaj Metën e bllokut, pastaj Ramën e PPP-ve, Pastaj Bashën e “Rrugës së Kombit”, e sërish nga fillimi prapë Berishën, Metën, gruan e tij…
Boll qelbësira kemi ndjekur! 30 vjet janë shumë, edhe për një vend si Shqipëria./Nga Bledi Lumani