Njeriu në përgjithësi atë që nuk e kupton e refuzon, ose edhe më keq; e lufton duke e përjashtuar. Kështu ndodh me idetë. Kur njeriu nuk i kupton i duken të “padenja” për të. Ndaj qytetërimet e kanë ngritur vetveten duke u përpjekur ti bëjnë idetë e tyre të kuptueshme për njerëzit me synim që ata të afrohen me qytetërimin.
Në përgjithësi injoranca, mos dija, mos kuptimi është burimi i arrogancës dhe ne shqiptarët jemi shumë arrogant. Shumë gjëra nuk i kuptojmë ndaj dhe nuk i duam.
Dijen, edukatën, kulturën e kemi lënë pas derës dhe këtë të fundit e kemi hapur për injorancën, medikoritetin e dhunën. Mediat (elektronike e vizive) janë sot përforcues të injorancës dhe mediokritetit. Duke dashur audiencë e duke e ditur që njeriu refuzon atq që nuk e kupton, ky pushtet mediatik, sot e ka ulur nivelin në vulgaritet. Dhe Vulgu e kupton dhe e mirkupton vulgun, ama progresin jo, dhe kështu për vendin s’ka të ardhme!
Pra të bësh “parᾁ” duke mbrojtur e ushqyer injorancën duket modeli i pëlqyer për popuj të zhytur në varfëri!
Ndaj studiot e opinioneve janë shndërruar në studio ku vulgariteti dhe arroganca bëhen vlera e përhapen në eter si modele! Ndaj leksionet në auditore jo rrallë shndërrohen në biseda vulgare me fraza kafeneje e arrogancë hierarkie! Ndaj politikanët që nuk kanë lexuar një libër në jetën e tyre janë bërë doktorë e profesorë dhe kujtojnë se i dinë të gjitha!
Dhe njerëzit bezdisen nga gjërat që i duken të “vështira” dhe preferojnë “si të gatuajnë” dhe si të zbaviten me emisione banale deri në keqardhje për përmbajtjen e tyre! Dhe harrojmë se kur vulgariteti dhe injoranca shiten për “kështu e do populli”, arroganca çimentohet dhe dhuna merr krah!
Dhe besomëni: një injorant i forcuar në kudhrën e vulgaritetit është i pamposhtur në injorancën e tij. E mendoni pastaj të ardhmen? Që sot jemi shndërruar në një popull që vepron për politikën pa ditur të drejtat e tij! Dhe e keqja më e madhe është se injoranti nuk e kupton injorancën e tij! /Nga Zamira Çavo