Shqiptarët presin historinë e re antikorrupsion, kurse SPAK po zvarritet. A ka ardhur koha reale që SPAK të fillojnë procesin e hetimit ndaj pronësisë kriminale të korrupsionit të lartë qeveritar në 25 vjet, dhe të krimit të organizuar me të?
Koha ka ardhur, dhe SPAK, tashmë i strukturuar, disponon provat bazë të abuzimit korruptiv, madje me emra, por nuk dihet mirë pse po eziton. Prandaj shqiptarët me të drejtë po pyesin çdo ditë: pse? Por, cila është logjika e arsyetimit të këtij momenti historik? Për këtë, na duhet të theksojmë rrjedhën nga ku del kjo arsye, e cila mund të organizohet kështu: SPAK-u do të ndeshet me krimin më të rrezikshëm shqiptar në 108 vjet shtet shqiptar; shqiptarët po presin me shqetësim e padurim të nisë procesi i hetimit të pronësisë korruptive; politika amerikane po flet gati një herë në dy apo tre ditë për këtë proces; dhe, të gjitha provat kryesore janë mbledhur.
Atëherë, pse nuk po fillon goditja?
Por, befas, na duhet të themi se, pyetja më e saktë që duhet të ngrihet këtu është kjo: në një përballje të ashpër me klanet e shumtë kriminalë, SPAK, a e ka siguruar mbrojtjen për sigurinë personale? SPAK- u realisht është në një përballje me klanet më të egra të Shqipërisë së sotme.
Prandaj, na duhet të theksojmë se, deri tani, SPAK nuk e ka të sigurt mbrojtjen e vet: as Prokuroria e Posaçme, as Gjykata e Posaçme dhe as Byroja Kombëtare e Hetimit, ende nuk kanë një mbrojtje profesionale.
ll.Procesi do të zhvillohet kundër një krimi barbar, prandaj e vetmja siguri duhet të vijë nga FBI dhe organet e specializuara të Shteteve të Bashkuara. Pikërisht, brenda kësaj arsyeje, kemi mendimin se kuptohet që SPAK- u këtë po pret.
Na duhet të theksojmë gjithashtu se, në historinë e krimit të sotëm, nuk ka qenë vetëm korrupsioni ai që ka paralizuar goditjen kundër krimit, por edhe frika e prokurorëve dhe gjyqtarëve të pambrojtur, dhe të kërcënuar nga krimi.
Prandaj, pyetja e drejtpërdrejtë është kjo: kur do të garantohet SPAK-u?
Mendoj se në këto ditë, kështu siç po rrjedhin ngjarjet, ndihma e përforcuar për mbrojtjen e efektivit të SPAK-ut do të vijë e strukturuar.
Pasi të vijë kjo ndihmë, e cila duhet të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur, gjithçka do të hyjë e sigurt në rrugën e procesit antikorrupsion në Shqipëri./Nga Spartak Ngjela