Nga Altin Ketro
Lulzim Basha dhe Ilir Meta, mëse njëherë janë deklaruar se me djegien e mandateve të deputetëve të opozitës, Kuvendi duhet të ishte shpërndarë automatikisht dhe vendi të kishte kaluar në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Po jo vetëm ata, por këtë mendim ka edhe ndonjë akademik. Në këtë linjë janë edhe shpura e analistëve që mbrojnë tezat e opozitës.
Kjo është nga ato lloj kërkesash dhe dëshirash që edhe vetë ata që e thonë nuk e besojnë. Dhe, kjo i bën qesharak. Sepse, nuk mund të kërkosh diçka kaq absurde deri në budallallëk politik, juridik e intelektual, kur në pushtet është vetëm njëri krah politik që është i ndryshëm nga mbrojtësit e kësaj teze.
Që ata të bëhen serioz dhe të besueshëm, që kërkesa dhe dëshira e tyre të marrë kuptim, që këtë që ata thonë nuk e bëjnë si etje për të ardhur në pushtet, por si një mënyrë që të forcohet “demokracia” në vend, atëherë mund të dalin me një propozim të dakordësuar mes gjithë partive opozitare për një ndryshim kushtetues të nenit 65/6, me këtë përmbajtje sipas atyre përcaktimeve që opozita kërkon:
“Kuvendi i Shqipërisë shpërndahet automatikisht dhe vendi kalon menjëherë në zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda 45 ditëve, në rast se opozita parlamentare largohet nga Kuvendi dhe dorëzon mandatet e fituara në zgjedhjet e fundit.”
E di që është komplet qesharake kjo logjikë, sepse kështu afërmendsh nuk do të kishim më sistem parlamentar, por një kaos total, politik e juridik. Prandaj them që opozita aktuale nuk është serioze, përsa kohë që këtë logjikë e kërkon tani kur është në opozitë dhe nuk e mbron si një akt që ajo do ta zbatojë nëse do të jetë vetë në pushtet.
Po të bëjmë një analogji historike, kur opozita socialiste braktisi Kuvendin në vitin 1996, mazhoranca e asaj kohe e Berishës, ndonëse kishte “fituar” 122 deputetë nga 140 gjithsej, nuk pranoi jo të shpërndahej Kuvendi, por as të përsëriste së paku zgjedhjet në 35 njësi zgjedhore sipas kërkesës amerikane. Edhe në vitin 2009, ishte po Sali Berisha me Lulzim Bashën ministër, që “fituan” 70 mandate nga 140 gjithsesj, që nuk pranuan jo që të shpërndanin Kuvendin, por as të numëronin disa kuti në qendra të caktuara, kur opozita socialiste braktisi Kuvendin dhe u fut në grevë urie.
Nuk mund të vendosë një precedent Partia Socialiste, ndërkohë që Partia Demokratike jo vetëm që nuk e ka bërë një precedent të tillë, së paku në dy raste, por edhe në këtë kërkesë që bën sot, e sheh të lidhur ngushtë me PS-në në pushtet, dhe jo me veten e saj në pushtet nesër.
Është e vërtet që Shqipëria aktualisht nuk ka një Kuvend normal në funksion të asaj që zgjedhësit vendosën në vitin 2017. Por kjo nuk është përgjegjësi e mazhorancës, por zgjedhje dhe vullnet i lirë i opozitës që zgjodhi atë rrugë largimi.
Gjithçka sot lidhet me cilësinë e grupit opozitar në Kuvend, por që edhe këtu sërish është përgjegjësi e opozitës se cilët përzgjodhi t’i përfaqësojë. Megjithatë dhe këtu, të rrimë shtrembër por ama të flasim drejt, vërtet grupimi opozitar nuk ka një përgatitje të lartë politike dhe në shumicën e rasteve mungesë oratorie, por në vetvete janë njerëz shumë normalë.
Është e çuditshme sepse sa më shumë koha kalon, edhe bëmat e dikurshme të opozitës në Kuvend nisin e veniten dhe duket sikur s’kanë ndodhur kurrë. Vërtet që grupi i PD-së dhe LSI-së, ata që u larguan, kishin më shumë personalitet politik që ua jepte eksperienca mbi 20 vjeçare në politikë, por ai grup deputetësh, bile edhe ai para tyre, i periudhës 2013- 2017, na e kishin kthyer Kuvendin në neveri.
Vetëm sherre e shamatë, prishje seancash plenare, po edhe të komisioneve parlamentare; ku asnjë ligj, për be, asnjë ligj, nuk diskutohej me frymë kritike, por veç me ulërima; ku asnjëherë të ftuarit si grupe interesi nuk kishin mundësi të shfaqnin mendime, sepse zallamahia ishte pjesë e strategjisë opozitare, ishin vetëm një aspekt mes shumë të tjerave.
Kujtoni kur merrte fjalën Sali Berisha me përroin e vet psikik, kur “Grupi i Gatshëm” i Mulit, me vezë dhe bojë nëpër xhepa, priste sinjalin për sulm fizik, kur çizmet fluturonin nga këmba e Monikës në drejtim të qeverisë e shoqëruar prej saj me fjalor mashkullor, atëherë duhet të thuash AMIN për opozitën e sotme parlamentare.
Kur them “AMIN”, nuk do të thotë se jam i lumtur që ai grup në disa raste voton edhe nismat e qeverisë, por, së paku, kemi një normalitet në komisionet parlamentare, aty ku projektligjet formësohen dhe marrin trajtën përfundimtare; aty ku çdo i ftuar si grup interesi dëgjohet me respekt dhe shfaq pa kufizim mendimet e veta kritike; po edhe në seancat plenare, ku ligjet debatohen brenda normave të sjelljes dhe publiku merr vesh se për çfarë bëhet fjalë.
Për shembull, diskutimet ironike të deputetit Murrizi, janë një mijë herë me dinjitoze se sa vulgu, balta dhe rrugaçëria politike që përcillte Sali Berisha e që kishte si rrjedhim pasoja të dhunshme me Palokën e Nokën, Stazon e “Qazon.”
Deri më sot, nuk njoh asnjë parlament në botë që t’i ketë pasur apo t’i ketë 100 për qind deputetet shkencëtarë e akademikë. Dhe nuk ka për të ndodhur kurrë që t’i ketë, sepse deputeti është përfaqësues i të gjitha shtresave të shoqërisë. Në vendet perëndimore ka deputetë bujk e blegtorë me shkollë fillore e zejtarë pafund. Bile edhe liderë të shteteve të fuqishme, historia na tregon se kanë ardhur nga formime jo akademike.
Gjithsesi, Partia Demokratike, si dje në Kuvend, si sot jashtë tij, nuk po e gjen dot rrugën racionale si të bëjë politikë vizionare. Fajet e veta për vendime të nxituara, të cilave nuk ua analizon paraprakisht pasojat, prishja e çdo ure duke mos lënë asnjë rrugëdalje, ngutja për të gjetur shtigje të shpejta se si të rikthehet në pushtet, e kanë futur në qorrsokak politik.
Për sa kohë ajo hedh në publik ide absurde që nesër po ajo vetë s’do mund t’i jetësojë, siç ajo me të cilën hapa këtë shkrim, do ta ketë tepër të vështirë që ta bindë elektoratin se është serioze edhe për çështje e aspekte të tjera të jetës së përditshme të njerëzve. Sa më shpejt ta kuptojë këtë gjë, aq më të lehtë do ta ketë. Në të kundërt…