Presidenti Ilir Meta ka nisur të sillet identik si Sali Berisha në vitin 1997. Edhe pse kemi 30 vite demokraci, situata politike në vend vijon të mbetet e njëjta. Janë të njëjtët individë që drejtojnë dhe janë po të njëjtët që duan të fusin në kaos vendin. Berisha më 1997 dhe 1998 futi në kolaps vendin, nisi sulmet ndaj institucioneve dhe krijoi një armiqësi të madhe me SHBA, BE dhe OSBE.
Asnjë shtet nuk i njohu zgjedhjet e grabitura të 1996 dhe më pas Berisha nisi luftën ndaj tyre. Por sot kemi të njëjtën situatë, por nuk është më Berisha, por Ilir Meta. Të hënën presidenti paralajmëroi se do të mësyjë në Kuvend nëse mazhoranca nuk tërhiqet nga heqja e betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa dje nisi një sulm të paprecedentë ndaj ambasadorëve. Prokuroria e Përgjithshme mbajti një konferencë mbi ecurinë e punës së saj dhe planet për të ardhmen, ku ishin të pranishëm ambasadorja e SHBA, ambasadori i BE si dhe ai i OSBE. Të gjithë në unison mbrojtën reformën në drejtësi, duke i dhënë goditje të fortë presidentit. Por kjo nuk është kapërdirë nga Meta, i cili u ka vërsulur zëdhënësin diplomatëve.
Ai lëshoi valë kritikash ndaj kësaj tryeze. “Tallja me reformën në drejtësi dhe bërja e ligjeve puçiste anti-kushtetuese pati meritë të madhe për të mbledhur kaq shumë shqiptarë kundër grushtit të shtetit, ku ministrja e Drejtësisë, siç është provuar nga shkresat zyrtare, akuzohet për 4 vepra penale. Ndërsa të gjithë prisnin që Prokuroria të vepronte ndaj saj, sot e shohin si pjesë të frontit të Ramaformës në konferencën e Prokurorisë duke qenë edhe krenare! Pandëshkueshmëria, padrejtësia dhe pafytyrësia kanë arritur majat! Herën tjetër do mblidhen shumë herë më shumë se dje, shqiptarë të ndershëm dhe me dinjitet, që s’mund të pranojnë këtë Kryemaskaradë! Turp! Shame on you”, ka deklaruar Tedi Blushi. Edhe pse ka tentuar të sulmojë ministren Gjonaj, duket qartë se reagimi ka të bëjë me të gjithë të pranishmit, e veçanërisht ambasadorët. Por reagimi i djeshëm është dhe një sinjal se presidenti i trembet reformës. Të tre ambasadorët, Yuri Kim, Luigi Soreca dhe Bernd Borchardt ishin në të njëjtën linjë. Të tre kërkuan që të mos humbet më kohë dhe të nisë lufta ndaj të korruptuarve. Kjo deklaratë duket se ka alarmuar kreun e shteti dhe ka nisur sulmet përmes zëdhënësit.
Flamuri amerikan
Të hënën Meta mori një shuplakë të fortë nga ambasadorja amerikane, Yuri Kim. Meta u shfaq me flamurin e SHBA, por ambasadorja u distancua dhe kërkoi që presidenti të mos e valëvisë atë flamur. Mirëpo Meta e ka sfiduar dje. Ndonëse të hënën në mbrëmje në një studio televizive vendosi të heshtë, dje ka bërë një postim në rrjetet sociale ku përmend SHBA dhe nuk ka kursyer “emojit” me flamurin e SHBA. “Falënderim dhe mirënjohje e veçantë për veprimtarin e palodhur të çështjes kombëtare, patriotin e jashtëzakonshëm shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, themelues i gazetës Illyria në New York, biznesmen e humanist i shquar, për mesazhin e tij të solidaritetit me kauzën e drejtë mbarëkombëtare dhe Uraganin Kuqezi që sapo ka filluar.
Kombi ynë ndihet krenar për diasporën shqiptare, në veçanti për vëllezërit dhe motrat tanë në SHBA, që ashtu si Harry janë bashkuar me Pranverën Kuqezi dhe kurdoherë kanë qenë në ballë të mbrojtjes së Atdheut, e përpjekjeve për lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe Shqipërinë si e gjithë Europa”, tha Meta. Pra duket qartë se presidenti po përsërit skenarët e mikut të tij Berisha. Ky i fundit tentonte kaos dhe luftë me ndërkombëtarët në 1997, të njëjtën gjë bën dhe Meta sot. Duhet theksuar se pak kohë më parë u shpall non grata ambasadori i OSBE, duke treguar qartë gjendjen e vështirë që ndodhet presidenti./Sot/KLITI TOPALLI