Partia Socialiste nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga drafti që i heq presidentit të drejtën e betimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, veçanërisht të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse në 2 mars presidentit Meta gjatë tubimit të organizuar firmosi kthimin e dekretit për ndryshimet kushtetuese, teksa i vendosi ultimatum mazhorancës që të reflektojë, kjo e fundit duket e vendosur për të mos i hapur rrugë kreu të shtetit.
Teksa Meta po zhvillonte manifestimin kundër qeverisë pasditen e së hënës, kryeministri Edi Rama mblodhi në selinë rozë Kryesinë e PS, ministrat dhe deputetët e qarkut të Tiranës, ku një pjesë e diskutimit është fokusuar tek kjo çështje. Burimet i pohuan gazetës se në këtë mbledhje është vendosur që të mos ketë asnjë tërheqje dhe se mazhoranca do të rrëzojë dekretin e Metës në rastin më të parë në komisionet parlamentare. Në këtë pikë, mësohet se në mbledhje njëzëri zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste janë shprehur se nuk ka asnjë lloj arsye që ata të tërhiqen para kërcënimeve të Metës, ndërkohë që mësohet se ndryshimet kushtetuese janë mbrojtur se ato janë të domosdoshme dhe nuk ka shanse që të ketë zmbrapsje nga mazhoranca. Pra, përmes këtij vendimi mazhoranca qeverisëse tregon qartë se ajo do të rrëzojë dekretin e presidentit Meta dhe se për të nuk ka asnjë tërheqje nga rrudhja e kompetencave për betimin e gjyqtarëve.
Asnjë tërheqje nga rrudhja e kompetencave të Metës
Por ajo që e vërteton se mazhoranca qeverisëse është e vendosur për të rrëzuar dekretin e presidentit Ilir Meta për kthimin në Kuvend, të ligjit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është edhe një deklaratë e bërë ditën e djeshme nga deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti. Ky i fundit duke folur dje për mediat në cilësinë e relatorit të këtij ligji, pohoi se ky dekret do të rrëzohet sërish nga mazhoranca socialiste.
“Do ta rrëzojmë dekretin për ndryshimet ligjore në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, që nënshkroi presidenti Meta në protestë. E konfirmoj si relator i ligjit”, deklaroi ai. Po ashtu, deputeti socialist komentoi dhe deklaratën e presidentit Ilir Meta, që nëse nuk do të kishte reflektim për situatën, ai pas 15 marsit do të shpërndante Parlamentin. Sipas Shametit, Meta ka zero shanse që të shpërndajë Kuvendin e Shqipërisë dhe se për mazhorancën ky vendim është ilegjitim. “Dekreti për shpërndarjen e Parlamentit do ishte nul”, nënvizoi deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti. Ndërkohë, rrëzimin e dekretit të presidentit Ilir Meta për ligjin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e paralajmëroi dje edhe deputetja e PS, Antoneta Dhima.
Kjo e fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, u shpreh ditën e djeshme se mazhoranca socialiste do ta rrëzojë dekretin që firmosi Meta në tubimin e 2 marsit. “Si çdo dekret që presidenti Ilir Meta e ka kthyer në Kuvendin e Shqipërisë edhe këtë dekret do ta rrezojmë në Parlament”, deklaroi deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima. Nga ana tjetër, ultimatumi që presidenti Ilir Meta i vendosi mazhorancës se nëse nuk reflekton, do të shpërndajë Parlamentin e komentoi edhe kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj. Kjo e fundit gjatë një prononcimi për mediat, theksoi dje se presidenti Meta nuk ka tagër të shpërndajë Kuvendin. “Presidenti dhe kushdo mund të vijë në Parlament, por jo të bëjë marrëzira të tilla, sepse nuk e lejon Kushtetuta”, deklaroi deputetja socialiste, Ermonela Felaj./Sot/ NGA RIGELS SELIMAN