Ka tashmë pesë dekada nga gjashtë të jetës time, që dëgjoj përbetime mbi Kushtetutën e Shqipërisë! Po ti shtosh realisht dhe ato përpara gjithsesi nuk shkojnë një shekull, sepse realisht akoma nuk mbushin si Kushtetutë e Shqipërisë një kohë të tillë! Po, kemi pasur “ligje” kushtetuese, por Kushtetutë të rregullt është sigurisht e vonshme koha ose vitet 1950-të.
Por ajo që ka treguar kjo kohë është thyerja e saj dhe pse përbetimet janë madhështore. U thye me pushtimin e Shqipërisë, u thye mbas çlirimit, u thye me jugosllavët dhe pastaj dhe me sovjetikët dhe më vonë kur u bën realisht Kushtetuta e parë e Shqipërisë në vitin 1950-të. Në nenin e 5 të saj ajo thoshte: Të gjitha organet të pushtetit shtetëror zgjidhen prej shtetasve me zgjedhje të lira, dhe me votim të përgjithshëm, të barabartë, direkt dhe të fshehtë. Tani unë pyes: Si ka mundësi që ne të jemi kaq burra të mirë si trashëgimi, kur prej dekadash Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë thoshte se duheshin bërë zgjedhje të lira dhe votim të barabartë dhe të fshehtë, për më tepër? E të gjithë atëherë çoheshin në përbetim kushtetues e sa më tepër përbetoheshin për Kushtetutën aq më shumë e ç’nderonin atë! Aq më tepër kur neni 11 thoshte: Garantohen pronësia private dhe iniciativa private në ekonomi. Garantohet e drejta e trashëgimit të pasurisë private. Asnjeri nuk mund të përdorë të drejtën e pronësisë private në dëm të kolektivitetit.
Imagjinoni kur shkruante kështu Kushtetuta pikërisht në momentin kur filloi reprezalja e Hoxhës dhe klikës së tij, ndaj pronës private dhe iniciativës së saj! E të gjithë përbetoheshin në mbrojtje të saj. Po po, përfshirë dhe “shokun Enver”. E qelbnin dhe masakronin Kushtetutën që kishin bërë vetë, sa për sy e faqe, por përbetoheshin. E për më tepër kur erdhi “demokracia” te ne askush nga gjykatat nuk i kap t’i fusë brenda thjesht për thyerje të Kushtetutës. Mirëpo unë po vazhdoj me Kushtetutën e vitit 1976 ku në nenin – 53 ku – garantohej liria e fjalës, të shtypit, të organizimit dhe të manifestimit dhe sipas këtij neni shteti dilte garant. Po a ka më paudhësi dhe më delir dhe si thyerje Kushtetute se sa kaq?
Në Kushtetutën më idiote që ka pasur Shqipëria dhe që është ajo e vitit 1976-të. Imagjinoni nenin 56-të i cili garantonte që individi në Shqipëri nuk mund të arrestohej pa vendim gjykate dhe miratim të prokurorit. I bënin disa nene që ti shikonte bota dhe pastaj… Askush nuk i arrestoi kriminelët që kanë dënuar mijëra shqiptarë me akuzën se kanë thyer Kushtetutën në vitet e demokracisë.
Jo pra, nuk e bënë se kishin ndërmend ta thyenin të gjithë të tjerët pas tyre në të ashtuquajturën demokraci sot. Po atëherë si sot, përbetoheshin për Kushtetutën?! Me 2 mars ishte mitingu i madh i përbetimit të fundit për Kushtetutën?! E mbasi është përdhosur disa herë Kushtetuta e Shqipërisë këto tre dekada medemek demokraci dhe sidomos nga palo drejtësia që kemi, por e formuar nga palo politika – del dhe marrëzia e fundit e mbrojtjes së saj duke e thyer atë. Ja dhe pse. Në nenin numër 1 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet: Shqipëria është republikë parlamentare. Në nenet pasuese të këtij neni thuhet: Neni 2 1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. 2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Që në momentin e parë shikohet qartë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë përbetohet pothuaj njësoj si ata dikur, duke mos bërë asgjë tjetër, por një shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë.
Sepse, që në nenet e para shikohet qartë se sovraniteti që i përket popullit ushtrohet vetëm në Parlament ku janë përfaqësuesit e tij ose nga referendumi. Pra as nga Presidenti as nga tubimet e tij dhe të opozitës dhe nga askush tjetër, të cilët janë në thyerje të Kushtetutës kur bëjnë fjalë të mbrojnë atë dhe sovranitetin, i cili goditet edhe kur thyhet Kushtetuta. Absolutisht Shqipëria nuk është Republikë Presidenciale ku Presidenti është dhe sovran dhe i zgjedhur i pikërisht popullit. Në Shqipëri presidenti është një zyrtar (i dobët me ligje të pakta dhe fuqi të shumë kufizuara) kushtetues që ngarkohet me vetëm 71 vota kuvendarësh, të cilët pastaj dhe mund ta largojnë sigurisht me votim dhe Gjykatë Kushtetuese. Me Kushtetutë Presidenti shqiptar nuk i bën asgjë Parlamentit përveç këshillave dhe ndonjë kthimi ligji. Po nënshtroj më poshtë nenet e kompetencave të Presidentit të Shqipërisë për të parë sa i dobët është kushtetueshmërisht dhe sa në thyerje të Kushtetutës është sot ai.
Neni 92: Presidenti ushtron edhe këto kompetenca: a) i drejton mesazhe Kuvendit; b) ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit; c) jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj sipas ligjit; ç) jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit; d) jep gradat më të larta ushtarake sipas ligjit; dh) me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare; e) pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë; ë) lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit; f) me propozim të Kryeministrit, emëron drejtorin e shërbimit informativ të shtetit; g) emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit; gj) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve; h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre. Ku mund të jetë ajo e drejta e përbetimit të mbrojtjes së Kushtetutës si detyrë ligj dhe akt juridik personal i tij?! Në cilën pikë është! Nuk mund të jetë sepse është akt formal dhe juridik i Republikës Parlamentare.
Prej kësaj rrjedhin të gjitha aktet mbrojtëse dhe të sovranitetit në Republikën e Shqipërisë. Edhe Gjykata Kushtetuese është një përzgjedhje në shumicë e këtij sovraniteti edhe presidenti dhe gjykatat. Pse? Po sepse nga Parlamenti dalin dhe aty votohen. Nuk i nxjerr askush në votim apo referendum apo formë tjetër ligjore ekstra parlamentare. Vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Me kaq kompetenca Presidenti i sotëm do të bëjë dhe mbrojtjen e Kushtetutës dhe sulmin ndaj puçistëve që janë në Kuvendin e Shqipërisë.
Po ky është delir politik dhe parullat e thëna në mitingje gati gati, antikushtetuetshmëri formale. Po ti shtoj nenin 94 kuptohet mirë dhe gjendja e presidentit si fuqia e dobët kushtetuese dhe forma e përmbajtja honorifike e një posti që quhet për kredenciale posti më i lartë zyrtar dhe që teorikisht duhet të ketë pagën më të madhe në administratën e shtetit. Oo kaq, asgjë më shumë se sa kaq! Ja neni 94 çfarë thotë: Neni 94 Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të. Që nga formimi si shprehje dhe gramatikë, kuptohet ngushtimi i kompetencave që i është bërë Presidentit të Shqipërisë! E sigurisht nuk ka asnjë fuqi kundër parlamentit dhe kundër kujtdo shumice parlamentare në Republikën e Shqipërisë. Po asnjë dhe asgjë për të vepruar./NGA BESI BEKTESHI