Të gjithë prisnin një akt nga Meta. Ky u nis për t’i vënë flakën institucioneve dhe përfundoi me flamurin amerikan. Ambasadorja amerikane u tall për këtë rast; kurse Meta nuk arriti asgjë. Ishte i trembur dhe foli përpara rreth 2.000 personave me delirin donkishotian se po fliste përpara një ushtrie prej 100.000 ushtarësh, 3.000 tankesh dhe 12.000 topash. Asgjë!
Po ambasadorja amerikane, çfarë tha?
Ajo e denigroi gjestin Meta me flamurin amerikan kur deklaroi: “U surprizova kur pashë flamurin amerikan në “manifestimin” e mbrëmjes së sotme.. .SHBA nuk ka asnjë lidhje me “manifestimin” e mbrëmjes së sotme”. Manifestimi është në thonjëza.
Duhet të jemi të saktë në historikun e liderëve të tillë, të cilët rrezikohen për t’u ndëshkuar në shkelje të Kushtetutës dhe dalin në mbrojtje të saj si nacionalistë, patriotë dhe atdhetarë të mëdhenj.
Nuk është i pari Meta, por është i fundit, sepse ka 50 vjet Perëndimi që qesh me fjalimin e tij. Pse duhej kjo shfaqje?
ll.
Meta kërkon të ndalojë procesin e tij për shkelje të kushtetutës; por kërkon edhe të bllokojë Gjykatën Kushtetuese. Pyetja që ngrihet këtu është: pse hoqi dorë nga kryengritja?
Sigurisht, e kanë kërcënuar, dhe fakti që ngriti flamurin amerikan në fund të fjalimit, tregoi se është në hall, jo me Ramën, por me Uashingtonin. Sigurisht që nuk është hall i vogël, por tani dihet se Meta për politikën amerikane është një i skeduar për korrupsion.
Ambasadorja Kim bëri humor në deklaratën e saj. Nga ajo që pashë m’u duk se ambasadorja tha me nëntekst: “ ky ishte një tubim i paqtë se jeni i kërcënuar, jo për veten tonë, por për interesin e shqiptarëve dhe Shqipërisë, në funksion të aleancës së madhe shqiptaro – amerikane”.
lll.
Një president i tillë me shembull historik është i njohur në qytetërimin perëndimor.
Unik ka qenë Abraham Linkolni, presidenti amerikan, i cili dominoi luftën civile dhe shpëtoi Amerikën. Shembull negativ uzurpues kanë qenë grushtet e shtetit në Amerikën Latine, por me ushtri, tanke dhe autoblindër, por jo me dekret.
Gjithsesi, pyetja është kjo: do vijojë procesi parlamentar i shkarkimit të Ilir Metës?
Nga historia e kriminalitetit politik kemi parë që një ka qenë ekuacioni dhe gjithmonë në përsëritje: “i tremburi shkelës ligjesh, kërkon të trembë ligjin”.
A e bëri dot Meta këtë, në 2 mars 2020?
Aspak. I dëshpëruar që në fund, nga goditës i politikës amerikane ngriti flamurin amerikan. Akt qesharak. Flamuri amerikan të jep vetëm një garanci: garancinë nëpërmjet ligjit. Zoti Meta! Po e ke shkelur ligjin keq e ke me atë flamur, po se ke shkelur, s’ke nevojë për të.
Por, ndërhyrja e menjëhershme e politikës amerikane, tregon që Uashingtoni e ndjen fyerje mbajtjen e atij flamuri në një tubim që s’ka lidhje me të, dhe nga një person i padëshirueshëm, në funksion moral nga politika amerikane.
Gjesti i flamurit ishte shfaqje groteske që do mbahet mend gjatë në historinë antikorrupsion që po vijon në Shqipëri.
lV.
Shqipëria sot ndodhet në segmentin e fundit.
Do të shpëtojë apo jo Shqipëria, në këtë segment kohor, nga pushtuesit e korrupsionit të lartë shtetëror, në krye të të cilëve qëndron presidenti aktual? Shenjat janë që do të shpëtojë.
Janë dy politika të mëdha në aksin Uashington – Bruksel, që i janë zotuar shqiptarëve për t’i shpëtuar nga kjo gjendje që i ka pushtuar. Reforma në drejtësi, e cila është substanca e progresit shqiptar, po ecën. Drejtësia e re nuk do të falë askënd, dhe e dini, Zoti Meta, se përse nuk do të falë: sepse nuk i lejon flamuri i Xhorxh Uashingtonit që ju e ngritët sot në mitingun e Tiranës.
Mbas asaj që u pa dje, shqiptarët e ndershëm, që janë shumica në këtë vend, do vazhdojnë të pyesin: dhe sa kohë do t’i durojmë këta? Dhe kanë të drejtë.
Opinioni publik shqiptar nuk e pati dot mundësinë për ta krijuar një shtet të drejtë, pa korrupsion dhe me një treg të lirë dhe jo – klientelist. E gjithë kjo situatë e rënduar tani ka ardhur në një pikë, në të cilën historia kërkon ndryshimin e gjendjes.
Duhet të ngrihen urgjentisht organet e reja të drejtësisë, sipas kushtetutës së amenduar në vitin 2016, dhe të gjitha ligjeve që kanë dalë në funksion të asaj. SPAK-u është bërë një shpresë shpëtimi nga një gjendje e rëndë papunësie dhe i një momenti psikologjik i humbjes së shpresës.
Shqiptarët kanë humbur shpresën, dhe po presin ta riformojnë. Janë dy shtete shqiptare që po presin të njëjtën gjë: shpëtimin nga pushtimi i korrupsionit për të risjellë shpresën në botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor./Nga Spartak Ngjela