Ky opinion imi është shkruar sigurisht përpara se të bëhet “protesta” e një pushteti kundër pushtetit tjetër dhe as që më bën përshtypje lufta e pushteteve që herë puthen dhe herë grinden mes vetes. Jo nuk më bën përshtypje ajo mënyrë folk-politike dhe irracionale që kjo shoqëri krejtësisht retro-kulturore dhe urbane, toleron dhe lejon që ti sipër kalojë, sa herë ja ka qejfi ta bëjë këtë “shkelje” filozofike mbi pikërisht shoqërinë shqiptare – pushteti “protestues” ndaj vetes.
E kam fjalën te ajo simbiozë për të cilën kam shkruajtur dhe herë të tjera mes krokodilit të Nilit dhe një zogu të po asaj zone, që bashkëjetojnë në mënyrë të shkëlqyer mes tyre. E gjithë kjo marrëzi shoqërore e jona, gjithë kjo histeri politike dhe ekonomike, por dhe sundim pushtetesh të super korruptuar që nga fillimi i demokracisë dhe deri më sot është në sajë të krijimit të kësaj simbioze fatkeqe dhe retro-kulturore në Shqipëri. Ajo është e vlefshme mes krokodilit dhe zogut (pluvianus aegyptuius) ku njëri ha ushqimin e dhëmbëve të tjetrit dhe kështu njëri ka barkun plot dhe tjetri dhëmbët e pastruara më së miri për prenë tjetër.
Po kështu në këtë protestë presidenciale kundër pushtetit kryeministror, me ndihmën e pushtetit opozitar, nuk ka asgjë më shumë se sa bashkëjetesa e krokodilit dhe zogut të Nilit. Por unë e kam fjalën se kush e luan atë zogun e vogël që ha ushqimet te dhëmbët e krokodilit? Po pra, sepse unë për krokodil në Shqipëri di politikën që nga më i madhi dhe deri te më i vogli si me pushtet dhe pa pushtet firmash dhe vulash! Por tashmë kjo shoqëri ka pësuar dhe një goditje tjetër idiote që është krijimi i “zogjve” të tillë pastrues së dhëmbëve të politikës në Shqipëri. Këta zogj (dhëmbë pastrues si efekt simbioze) sigurisht pastrojnë çdo ditë dhëmbët e “krokopolitikës shqiptare” dhe padyshim janë bashkë me të pengesa kryesore e kalimit normal dhe pa probleme të mëdha, nga post diktatura në real demokraci dhe jo “plutokracinë” shpesh herë kriminale te ne. I pari “zog Nili” te krokopolitika në Shqipëri është gjyqësori akoma kriminal dhe akoma edhe më hajdut e i korruptuar.
Është pikërisht ai segment i dashur i “krokopolitikës” që i mban higjienën e gojës nga pisllëku që i krijohet nga mos ngopja me prenë e dashur që është – korrupsioni dhe grabitja në trupin e shoqërisë. Gjyqësori akoma si një “zog Nili” është fatkeqësia më e madhe e kësaj shoqërie retro-kulturore, të cilës ky sistem i ka hequr shtatë palë lëkurë duke e rrjepur së gjalli me prona dhe me “liri e demokraci”. Këta “zogj Nili” apo gjyqtarë dhe nga ana tjetër prokurorë, kanë pastruar biografinë e gojës së “krokopolitikës” në Shqipëri. E vazhdojnë akoma ta bëjnë atë. Janë të pandreqshëm dhe më keq se një grabitës në rrugë si fajtorë mbi shoqërinë e cekët si moralisht dhe politikisht në Shqipëri. Çfarë ka shqyer krokopolitika shqiptare në të gjitha partitë e saj, të tillë monstra gjyqësori e kanë pastruar dhe tanimë jetojnë më së miri, duke përfituar pasuritë më të madhe për vete dhe fëmijët e tyre, të cilat ju teprojnë dhe për disa shekuj.
Zogu tjetër i Nilit si dhëmbëpastrues i krokopolitikës është media. Janë gazetarë (e kam fjalën për ata që flejnë në një shtrat me krokopolitikën) të formatuar për të pastruar e tashmë dhe luçiduar dhëmbët e krokopolitikës. Pra jo vetëm që media si zog Nili pastron nga mbeturinat e ngrënies, por dhe ju jep shkëlqim atyre dhëmbëve që shqyejnë përditë trupin e shoqërinë pothuaj të vdekur moralisht dhe filozofikisht në Shqipëri. Janë po këta zogj Nili si media, që ndahen nga nofulla e majtë dhe e djathtë e krokopolitikës dhe ai përtyp nga të dy anët rregullisht me dhëmbët, të cilët nuk kanë nevojë për dentist fare, sepse në një anë është gjyqësori dhe në anën tjetër media brenda gojës (nofullave) të krokopolitikës. Ato mirëmbajnë krokopolitikën dhe dhëmbët e saj. Po, pastaj ka “zogj Nili” te universitetet dhe akademizmi dhe ka plot dhe te kultura e arti.
Nuk bëjnë asgjë më shumë, por si dikur në kohën e Enverit që pastronin dhe i luçidonin dhëmbët e diktaturës, gati gati, për tju dukur shoqërisë kaq të bukur (këta dhëmbë) sa të pranonin t’iu nguleshin në kurrizin e tyre për t’i provuar sa të mbrehtë ishin. Ka zogj te bizneset e mesme dhe të vogla, sepse të mëdhenjtë një pjesë e mirë janë brenda trupit të krokopolitikës e cila stomakun dhe plëndësin e ka pjesë “anatomike” të biznesit shqiptar. Të tillë “zogj Nili” mbrojnë njëri-tjetrin dhe rrahin shoqërinë me paudhësitë e tyre flagrante në mbrojtje të politikës korruptive. Bombardojnë përditë me klithma idiote fjalësh lajthitëse si në medemek demokraci, për t’iu qorruar sytë shqiptarëve dhe shurdhuar veshin e tyre çdo ditë. Këto “zogj të vegjël” janë akoma më keq se sa vetë krokopolitika në Shqipëri.
Janë dhe më përfitues dhe akoma më shumë negativë me shërbimin që i bëjnë gojës së stërmadhe që dëmton çdo ditë shqiptarët. Si aty te kongreset e partisë, edhe aty te takimet e saj dhe studiot e opinionit, por dhe në institucione, kjo praktikë e pastrimit të dhëmbëve të krokopolitikës është një dobësi kaq e madhe dhe me kaq pasoja, sa që realisht është e vështirë që të kemi shpresë se ky shtet, kjo shoqëri dhe pushtetet do të jenë një ditë normalë. As kanë qenë dhe as do të jenë edhe për disa kohë, sepse vazhdon simbioza mes pikërisht atyre zogjve të Nilit dhe krokopolitikës shqiptare sa majtas dhe djathtas dhe po ashtu dhe asaj që e di veten për në qendër./Nga Besi Bekteshi