Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të raportit nga Komisioni Evropian, në të cilin thuhej se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për hapjen e negociatave.
Reagimi i Ramës:
Ja çfarë thuhet në konkluzionin e Raportit të Progresit, që u publikua SOT nga Komisioni i Ri Europian:
NËN DRITËN E PROGRESIT DOMETHËNËS DHE TË FAKTIT SE KUSHTET E VENDOSURA UNANIMISHT NGA KËSHILLI EUROPIAN NË QERSHOR 2018 U PLOTËSUAN, KOMISIONI I REKOMANDOI KËSHILLIT EUROPIAN NË PAKETËN E ZGJERIMIT 2019, HAPJEN E NEGOCIATAVE PËR ANËTARËSIM ME SHQIPËRINË. NË TËRËSI, SHQIPËRIA KA SHTUAR PËRPJEKJET DHE KA ARRITUR REZULTATE TË MËTEJSHME E TË QËNDRUESHME NË FUSHAT KYÇE TË IDENTIFIKUARA NË KONKLUZIONET E KËSHILLIT NË QERSHOR 2018. SI RRJEDHOJË, BAZAT E REKOMANDIMIT TË KOMISIONIT NË 2019 PËR TË HAPUR NEGOCIATAT ME SHQIPËRINË MBETEN NË FUQI.
Pra, Komisioni i Ri Europian, jo vetëm rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, por rikonfirmon duke e përforcuar, rekomandimin e Komisionit paraardhës, vitin e shkuar! Kjo do të thotë se Shqipëria i kishte kryer dhe ka vazhduar t’i kryejë me sukses detyrat e shtëpisë për hapjen e negociatave.
A i hap apo nuk i hap Këshilli Europian negociatat paskëtaj, kjo është POLITIKË dhe u takon vendeve anëtare të vendosin, jo Shqipërisë!
A e gjejnë apo nuk e gjejnë vendet anëtare konsensusin e nevojshëm për t’i dhënë Shqipërisë ATË QË I TAKON, kjo varet nga sa arrinë ato të harmonizojnë interesat e përveçme me interesin e përgjithshëm!
Hapen nuk hapen negociatat në mars, në qershor, në tetor apo në dhjetor, të këtij a të vitit tjetër apo të tjetrit pas tjetrit, kjo nuk është në dorën tonë po në duart e 27 vendeve anëtare të BE-së! NË DORËN TONË ËSHTË TË BËJMË ME SUKSES DETYRAT E SHTËPISË, JO PËR HATËR TË TYRE PO PËR SHQIPËRINË EUROPIANE QË DUAM PËR FËMIJËT TANË! Dhe a i kemi bërë apo jo detyrat, këtë ka vetëm një instancë që ka mandatin dhe objektivitetin për ta thënë: KOMISIONI EUROPIAN, I CILI SOT KA PUBLIKUAR KONKLUZIONIN BASHKËLIDHUR