Ilir Meta nuk zhgënjeu.Nuk ia mbajti të firmoste një dekret për shpërndarje Parlamenti, duke treguar kështu se nuk është gati për një betejë, të paktën siç e bëri PD-ja duke braktisur institucionet.Skenografia e tij e lodhur, me dy pensionistë që janë bërë si biçikletat me qira të Veliajt, që mund t’i marrë çdokush që mbetet në këmbë dhe një aktor te realizmit socialist, që publikun e ka 60 vjeç e sipër.
U betua për sovranizëm duke tundur flamurin e SHBA-së, e cila për hir të së vërtetës as e pëlqeu fare këtë fakt, madje u nxitua ta bëjë dalje, çdo asocim të mundshëm.Kjo në mbyllje të protestës. Ndërsa në hapje, BE-ja premtoi hapje negociatash me Shqipërinë.Mbështetja në shesh, pa praninë e PD-së do të ishte një dështim. Dhe nuk ka asnjë garanci që kjo mbështetje do të vazhdojë. Nëse Basha e vazhdon, do të firmosë edhe groposjen e tij.
Në konkluzion, mitingu i Presidencës ishte një akt që tregoi vetëm diçka: Morsën rreth Metës nuk po e shtrëngon Edi Rama, por ndërkombëtarët. Dhe ndërkombëtarët ai as mund t’i trembë dhe as t’i blejë.Gjithë deklaratat e mbështetësve të tij kundër perëndimit dhe ambasadave, në shumicën e rasteve e kanë bërë qesharak, ndërsa diku-diku ka ngjallur zemërim. Gjykimi i të huajve me kutin e Tiranës dhe profkave me Soros e komplote, mund të shërbejnë për të mpirë trutë e sëmura shqiptare, por nuk janë manual si të sillesh me perëndimin.
Dhe kjo ka sjellë një braktisje të presidentit.Mitingu i sotëm tregoi se Ilir Meta nuk ka më armë dhe zhvlerësoi të fundmin enigmë që kishte: Shpërndarjen e Parlamentit. Tani edhe në e bëftë, askush nuk do e marrë seriozisht./Nga Dritan Hila