Presidenti Ilir Meta duket se nuk ka ndërmend të ndalë sulmet ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Dje ai ka publikuar të tjera “prova” për atë që ai e quan grusht shteti, teksa paralajmëroi që tubimi i 2 marsit nuk do të jetë i vetmi. Sakaq gazeta ka mësuar se në datën 2 mars presidenti nuk do të shpërndajë Parlamentin, por do të firmosë kthimin për rishqyrtim të drafteve që i rrudhin kompetencat.
Edhe pse ka kërcënuar me shpërndarje Parlamenti, dje ai la të kuptohet se thjesht do firmosë për kthimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë kuadër paralajmëroi se nëse mazhoranca ja rrëzon dekretet, ai do të vijojë tubimet. “Asgjë nuk mbaron në 2 mars. Është e vërtetë që ka dhe 3 mars, dhe 5 mars dhe kështu me radhë. Ka dhe 1 prill edhe pse nuk jemi më 1 prill sa 1 prilla kemi këtu, për ligjin më të rëndësishëm që ka të bëjë me integritetin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët jo vetëm mbrojnë të drejtat e popullit shqiptar, por do të jenë dhe garantë të sovranitetit dhe të integritetit, të atdheut tonë. Nuk bëhet fjala për disa vende pune, por për të mbrojtur shtetin nga puçistët e shteti sot e çdo kohë”, tha ai.
Meta mbrohet përmes Soros
Edhe pse disa muaj më parë e akuzonte George Soros si puçist ndërkombëtar kundër Shqipërisë, Meta tani po përdor fondacionet e tij për të goditur mazhorancën. “KLGJ informon se nuk i është kërkuar mendim për këtë ndryshim dhe nuk ka dhënë mendim. Prapë një gënjeshtër tjetër. KLP thotë se nuk rezulton të jetë kërkuar mendim nga Kuvendi për këto ndryshime. Qendra Republika thotë se nuk i ka thyer asnjë përgjigje Kuvendit për shkak të ngarkesës përgjatë këtyre kohëve. Soros thotë se për shkak të pamundësisë për t’u përgjigjur nuk ka dërguar përgjigje për këto ndryshime”, u shpreh Meta. Më tej presidenti ka goditur dhe ambasadën e SHBA. Kjo e fundit u kërkoi shtetasve amerikanë të qëndrojnë larg tubimit.
Meta sulmon Komisionin e Ligjeve
Pas heqjes së kompetencave për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, presidenti iu kthye Kuvendit duke akuzuar Komisionin e Ligjeve. Meta akuzoi dje Komisionin e Ligjeve për një raport, ku thuhet se Komisioni ka kërkuar mendimin e disa institucioneve, përfshirë këtu Soros, por edhe kreun e KED Ardian Dvorani. Pasi sipas Metës kjo nuk është e vërtetë, pra ai pretendon se Komisioni nuk e ka bërë një kërkesë të tillë. Meta deklaroi dje se, Presidenca është interesuar tek këto institucione, por sipas tij këto të fundit kanë deklaruar se janë kundër këtij ndryshimi, që sipas Metës i heq presidentit të drejtën ekskluzive, ose kanë zgjedhur të mos i përgjigjen Komisionit të Ligjeve. “Jam sot përsëri para jush për të paraqitur prova të reja të mashtrimeve skandaloze të Komisionit të Ligjeve dhe Kuvendit të Shqipërisë lidhur me konsultimet dhe mbështetjen që ka marrë për ligjin antikushtetues të pushtimit për Gjykatën Kushtetuese nga sekti kriminal që ka kontrollin e institucionit të Kuvendit. Më 12 shkurt 2020 ka miratuar ligjin për të ndryshuar formatin e betimit. Jemi sot për të demaskuar falsifikime të tjera të këtij Kuvendi. Në raportin e Komisionit të datës 6 shkurt 2020 kur është shqyrtuar ky projektligj, relatohet se projektligjet për Gjykatën Kushtetuese dhe për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve i është përcjellë për dijeni disa institucioneve, dhe natyrisht dhe ministrisë së padrejtësisë”, ka deklaruar presidenti Meta./ARBJONA ÇIBUKU