NGA RIGELS SELIMAN
Kryeministri Edi Rama zgjodhi foltoren e Kongresit të Partisë Socialiste për të komentuar tubimin e 2 marsit dhe hedhur akuza në adresë të presidentit Ilir Meta. Ky i fundit prej disa kohësh ka nisur një ofensivë ndaj mazhorancës qeverisëse, ndërkohë që dje i pari i qeverisë shqiptare zgjodhi që një pjesë të fjalimit të tij një orësh t’ia kushtonte pikërisht presidentit Meta.
I qetë dhe i prerë, kryeministri Rama e ka “pagëzuar” manifestimin e Metës si Besëlidhjen e Dytë të Lezhës kundër reformës në drejtësi. Në këtë kontekst, shefi i qeverisë theksoi se nuk ka asnjë shans që njerëzit të ngatërrojnë Skënderbeun me besëlidhësit anti-reformë. “Njerëzit po presim Besëlidhjen e Dytë të Lezhës më 2 mars. Mendoni që njerëzit do ngatërrojnë Gjergj Kastriotin me besëlidhësit e tij, që janë armiqtë e drejtësisë së re. Këta, aleanca kundër drejtësisë së re do të bëjnë Besëlidhjen e dytë të Lezhës pa shkuar fare në Lezhë. Nuk i shohin njerëzit fare ata, njerëzit shohin nga ne. Nuk dua të merrem fare me katandisjen e konkurrentëve, por dua t’ju them që ta kuptojmë sot pa na ndodhur pasoja të mëdha se ky boshi që kemi përballë mund të jetë i rrezikshëm. Çdo ditë ne prodhojmë kundërshti me programin e PS. Në jemi “Champions League” ata kanë Besëlidhja e Dytë”, deklaroi ai.
Thirrjet e Metës, goditje në tenxhere bosh
Nga Kongresi i PS, kryeministri Edi Rama ka lëshuar edhe një paralajmërim për presidentin Ilir Meta. Rama i kujtoi këtij të fundit se njerëzit kanë padurim të madh për të parë drejtësinë dhe shumica dërrmuese e popullit drejtësinë e lidh me atë të “Besëlidhjes” referuar Ilir Metës, pasi po nuk u lidh kjo në 2 mars, sipas tij, qytetarët nuk kanë besë tek drejtësia. Megjithatë, pavarësisht kësaj, shefi i qeverisë u kujdes që të injoronte nismën e presidentit Meta, ndërsa thirrjet e tij për “grusht shtetit” i quajti goditje në tenxhere bosh.
“Unë e kuptoj shumë mirë që njerëzit kanë padurim të madh për të parë drejtësinë dhe besoj se nuk them ndonjë sekret apo ndonjë gjë të pasjellshme nëse them që shumica dërrmuese e popullit drejtësinë e lidh me atë të “Besëlidhjes’” po nuk u lidhën ata nuk kemi besë tek drejtësia. Unë e kuptoj këtë. Por kjo nuk është as detyra jonë as mundësia jonë. Detyra jonë është të bëjmë drejtësinë që pastaj merret me kë duhet të merret. Kthe kokën pas s’ka kundërshtar, shiko para, është bosh, vërtet dalin shajnë e bërtasin, janë si goditjet e lugëve në tenxhere bosh. Dhe në këto kushte ne duhet ta lexojmë këtë rrezik, se njerëzit e ndjejnë shumë më shumë se ne “boshin”. Ne përjetojmë gjithë goditjen, sulmet, e akuzat. Duke qenë të rrethuar nga boshi, ndjehemi si qendra e botës”, nënvizoi kryeministri Rama.
Aleancë e pështirë kundër reformës në drejtësi
Por kritikave dhe sulmeve të presidentit Ilir Meta, dje iu përgjigj edhe sekretari i Partisë Socialiste, Taulant Balla. Nga foltorja e Kongresit të PS, zoti Balla përmendi si një nga arritjet më të mëdha të mazhorancës reformën në drejtësi, ndërsa zbuloi se kjo reformë u miratua pavarësisht kundërshtisë së hapur të opozitës dhe presidentit Meta. Madje, deputeti Balla nuk nguroi që t’i etiketojë si “aleancë e pështirë kundër reformës”, kritikat dhe sulmet e Metës, Berishës, Kryemadhit dhe Bashës ndaj drejtësisë së re. “Prej korrikut 2016 në Shqipëri rreshtimi i krahëve në politikën shqiptare nuk është vetëm në nocionet bazë e majtë- e djathtë, shumicë- pakicë apo pozitë- opozitë. Prej atij momenti në Shqipëri u krijua një aleancë e pështirë kundër reformës në drejtësi, me Sali Berishën në ballë, Ilir Metën pas shpine, Lulzim Bashën në krah dhe Monika Kryemadhin në çizme. Reforma në drejtësi ishte dhe është angazhimi ynë themelor prej kur e propozuam për herë të parë në vitin 2008 nevojën e një reforme të tillë dhe jetësimin e të cilës e filluam sapo morëm besimin e shqiptarëve”, deklaroi Balla.