Nga Edi Rama
Fakti i parë është që Partia Socialiste sot është më e fortë, sesa ka qenë kurrë ndonjëherë në 30 vjet. Kemi mbështetjen e një shumice që na ka dhënë mandat ekskluziv dhe jo vetëm kaq, por me numrin më të madh të votave që Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë ndonjëherë.
Jo në raport me konkurrentët, se këtë e ka bërë gjithmonë, përjashtuar vitin 2005, por në raport me vetveten. Prandaj detyra jonë e parë është që në zgjedhjet e ardhshme të jemi jo vetëm partia e parë, se partia e parë ne jemi e do të jemi pa diskutim, por të kemi mbështetjen më të madhe popullore që kemi pasur ndonjëherë deri më tani. Që do të thotë, dua 800 mijë vota për mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Është shumë e lehtë të thuhet, shumë më e vështirë të bëhet, për më tepër kur në rrugën e 8 viteve, deri në momentin kur do të na duhet të kërkojmë 800 000 vota, ka nevojë për të pranuar e për të kuptuar se duhet edhe më shumë energji, ndërkohë që një pjesë e energjisë është konsumuar.
Fakti i dytë; Me 2 mandatet që ne kemi marrë në 2013-n dhe në 2017-n kemi bërë më shumë reforma e ndryshime shtetbërëse, sesa të gjithë në të gjitha qeveritë e këtyre 30 viteve. Detyra jonë është ta mbyllim këtë mandat me një bilanc kuptimplotë, por dhe me një program kuptimplotë reformash për mandatin e tretë të Partisë Socialiste të Shqipërisë në qeverisjen e vendit. Nëse mandati i parë ishte për të hapur themelet, mandati i dytë është për të shtrirë kantieret, mandati i tretë na duhet për ta vendosur përfundimisht Shqipërinë në një nivel tjetër, si shtet dhe si ekonomi.
Fakti i tretë; Kjo parti është shpirti patriotik i politikës shqiptare dhe fytyra europiane e Shqipërisë. Që në krijimin e saj në vitin 1991 e deri më sot, kjo është e vetmja parti që kurrë nuk e ka tradhtuar, apo cënuar interesin kombëtar, por kjo është partia që ka arritur t’i japë sot një dimension krejt të panjohur më parë politikës së jashtme të Shqipërisë dhe pavarësisht të gjithë luftës së madhe që bëhet këtu brenda kundër nesh, produktet e ulëta të së cilës eksportohen intensivisht jashtë, sot si asnjëherë më parë, falë nesh, Shqipëria është e respektuar dhe e vlerësuar në sytë e të gjithë lidershipit europian e më gjerë. Detyra jonë është ta forcojmë më tutje këtë përmasë dhe forcimi i kësaj përmase të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kalon nga forcimi i faktorit shqiptar në rajon dhe nga zhvillimi i mëtejshëm i projektit të Shengenit rajonal, ku ne jemi që në krye të herës nxitës e ku sot dhe në vijim do të jemi udhhëheqës të këtij procesi.
Përmes këtij procesi fuqizohet pozicioni ynë, jo vetëm në rajon, por dhe në Europë dhe përmes këtij procesi, ne fuqizojmë kandidaturën tonë për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian. Europa ka qenë dhe mbetet burimi i frymëzimit tonë politik dhe kryeqëllimi ynë strategjik dhe ne nuk presim nga Europa asnjë dhuratë, nuk kemi asnjë iluzion. Detyra jone është ta bëjmë Europën këtu, duke bërë një për një detyrat tona të shtëpisë dhe procesi i integrimit për ne është një proces që na jep mundësinë të ecim më shpejt përmes instrumenteve që ai na ofron.
Na i hapin sot, nuk na i hapin sot, do na i hapin nesër, do na i hapin pasnesër negociatat, këtë e dinë të zotët e shtëpisë në Bashkimin Europian. Ne nuk presim më as mars, as maj, as tetor, as nëntor, as dhjetor, asnjë gjë. Po të duan t’i hapin, po të duan mos t’i hapin, kur të kenë nge do t’i hapin e faleminderit që do na i hapin, sepse mjaft më duke përgatitur dasma, ku krushqit nuk paraqiten ditën e dasmës.
Ndërkohë, pavarësisht se nuk na i kanë hapur kur na kanë thënë do t’i hapim, ne kemi vazhduar të punojmë e do të vazhdojmë të punojmë njësoj si të ishin hapur dhe detyra jonë është ta bëjmë këtë për shqiptarët, për Shqipërinë, për fëmijët tanë.
Fakti i katërt; Ne kemi krijuar bazën për një zhvillim të ri të ekonomisë, për të pasur një volum të konsiderueshëm investimesh të huaja. Për një rritje të punësimit real dhe jo vetëm të punësimit real, por dhe për një shtytje më lart të nivelit të pagave për ata që punojnë në sektorin privat dhe patjetër, duke filluar nga rritja e pagës minimale. Nuk e bënim dot këtë dje dhe besojeni, nëse tërmeti i 26 nëntorit, larg qoftë, do kishte rënë në 26 nëntor të viti 2013, jo rindërtim, por ne do ishim futur në gropë bashkë me ata që fatkeqësisht u ndanë nga jeta si shtet dhe si ekonomi, si shoqëri e si perspektivë.
Por pikërisht, pse ne u gjendëm përpara një tërmeti në nëntorin e vitit të shkuar, sot jemi në gjendje ta përballojmë jo vetëm pasojën tragjike të atij tërmeti, por sot jemi në gjendje të flasim për një kapërcim të ri ekonomik, që do të jetë fizionomia e mandatit tonë të tretë. Për këtë arsye, detyra jonë është që 2020-n ta kthejmë në një moment historik force të shembullit qeverisës, duke e provuar për njerëzit se aty ku të tjerët panë dritëshkurtësisht fundin tonë për shkak të tërmetit, aty është burimi i forcës sonë, për të shkuar përtej tërmetit e për ta çuar vendin në një nivel të ri zhvillimi ekonomik dhe social.
Këtë pranverë, ne do lancojmë planin e ri ekonomik, do të nisim valën e dytë të reformave e sot po ju them që nga 1 janari i vitit 2021, paga minimale do të jetë 300 mijë lekë. Është vetëm hapi i parë. Nuk do të ketë më e nuk do lejojmë më në Shqipëri, njerëz që punësohen e marrin më pak se 300 mijë lekë.
Fakti i pestë; Ne nuk jemi në fillim, por nuk jemi as në fund të një projekti politik për një rilindje shqiptare, prandaj, krahas atyre që kemi arritur, kemi operacione jo të vogla për të kryer, qoftë për të shëruar plagët e vendit, qoftë për të pastruar organizmin tonë politik. Është një pastrim i vazhdueshëm që duhet të shkojë më thellë e detyra jonë është t’i bëjmë të dyja, hap pas hapi, pa ngurrim, pa pushim. Kush këtu në këtë sallë, apo jashtë kësaj salle, që ka mbështetjen e socialistëve si udhëheqës, si ministër, si deputet, si delegat, si kryetar partie, si kryetar bashkie, si kryetar organizate socialiste, që nuk e ka kuptuar se çfarë kërkohet e nuk ka energji për të bërë më shumë kilometra, sesa ka bërë për të arritur deri këtu, duhet dhe do hapë krahun. Duhen dhe do hapë krahun, kush nuk e ka kuptuar se Partia Socialiste nuk është pronë ekskluzive e asnjë shefi, sado i madh apo sado i vogël, që nga kryetarët e organizatave, deri tek shefat në Tiranë.
Pse e them këtë?
E them këtë për shumë arsye, por një arsye që vazhdon të ma bëjë të pamundur që të jem i kënaqur me punën që bëhet në Partinë Socialiste nga të gjithë, nga i pari tek i fundit, është se akoma sot, në vitin 2020, ne kemi gardhe dhe ura dhe kanale për të kapërcyer për njerëzit që duan të na bashkohen pa fund.
Akoma sot në vitin 2020, ne kemi kryetarë organizatash, deputetë, udhëheqësa, që jo vetëm nuk arrijnë të shtynë më fort për t’i rrëzuar këto gardhe e këto mure, por, përkundrazi, i justifikojnë gardhet dhe muret, “jo këtë e kemi shok të mirë, e kemi që nga koha e luftës”, ndërkohë që luftë ka bërë vetëm ai që është 100 vjeç këtu, njeri tjetër këtu luftë nuk ka bërë. “Jo po i humbi këto zgjedhje ky kryetar organizate, por ta mbajmë se shiko si është puna…” dhe ndërkohë, “ky tjetri po na prish punë se na solli një nga PD-ja, na solli një nga LSI-ja”, na solli një nga ku di unë se kush. “Po si mund ta lëmë ne partinë në dorën e këtyre?” Ju doli keq juve që e latë partinë në dorën time?
Dhe kulmi i kulmit, ne vendosëm që në çdo organizatë të ketë një bashkëkryetare grua dhe sot që flasim, akoma nuk i kemi të gjitha bashkëkryetaret gra aty ku i kemi organizatat dhe këtë thirrje e kam specifikisht për gratë që janë këtu e të gjitha gratë që na dëgjojnë. Po e latë këtë në dorë të kryesisë së Partisë Socialiste, po e latë këtë në dorë të deputetëve, po e latë këtë në dorë të shefave, nuk do bëhet kurrë! Merreni në dorë vetë dhe refuzoni çdo organizatë, refuzoni çdo kryetar organizate që nuk hap dyert për gratë dhe që nuk pranon të ketë në krah një grua si bashkëkryetare. Refuzojeni, denoncojeni, shkatërrojeni fare, sepse, nëse ka një mundësi reale që ne të shtojmë forcën tonë elektorale, janë gratë. Burrat ç’kanë pasur për ta bërë e kanë bërë e tani janë vetëm çfarë marrin, jo çfarë japin. Janë gratë, vetëm gratë dhe nëse ka një arsye madhore për të qenë krenar për këtë Parti Socialiste, që nuk do mund dot ta zëvendësonte askush në këtë pikë, është fakti që falë kësaj partie, sot jemi ndër 5 vendet e para të botës për barazinë gjinore në qeverisje.
Ka shumë profesorë, ka shumë ideologë, ka shumë analistë, komentatorë, por ka dhe shumë brenda nesh, ka shumë brenda rrethit të shefave të mëdhenj që thonë, këto gratë në qeveri i kemi me profil të ulët politik, janë pak si teknike, ne na duhen politike. Unë po ju them këtë, që kjo është thjesht dhe vetëm mënyra e gabuar për të parë se për çfarë janë ministrat e çfarë duhet të bëjnë ministrat dhe nga ana tjetër po ju them që puna e grave, e të gjithave në qeveri, është një punë që garanton siguri për të gjitha punët që ne duam të bëjmë si qeveri, ashtu sikundër ministrja e Drejtësisë mund të jetë dukur teknike. Sot e patë këtu dhe të jeni të sigurt që, siç patë ministren e Drejtësisë, do të shikoni e mund të shikojmë shumë më tepër gra që të marrin shumë më tepër forcë, falë faktit që dinë çfarë thonë, dinë pse luftojmë e mbi të gjitha, janë të vendosura për t’i çuar përpara punët e tyre. E më e rëndësishmja për të gjithë, gra dhe burra, vajza dhe djem në Partinë Socialiste është të kuptojmë që sot, pasi i kemi mundur konkurrentët tanë, ne jemi bërë rreziku më i madh i Partisë Socialiste, si alternativë qeverisëse. Këtë unë e shoh përditë, e ndjej përditë, e them përditë, kudo ku më jepet mundësia.
Ne jemi sot rreziku më i madh që ka alternativa qeverisëse e Partisë Socialiste. Kush është?
Kundërshtari ynë më i rrezikshëm sot është boshi opozitar që mbizotëron në politikë dhe në media; Hiçpolitika e mbushur me agresivitet dhe komplet e zbrazur nga përmbajtja; Hiçdebati i mbushur me sharje, me akuza dhe i boshatisur nga çdo ide dhe çdo argument; Hiçkundërshtia që ushqehet me lajme fals, me shpifje brutale, me shumë pisllëk, por që është e tharë nga burimet vlerore të jetës demokratike. Që do të thotë se armiku më i rrezikshëm, pas këtij kundërshtari më të rrezikshëm, jemi ne vetë, që përballë këtij boshi opozitar rrezikojmë të harrojmë nga vijmë dhe të rrethuar nga hiçpolitika, nga hiçdebati, nga hiçkundërshtia, rrezikojmë të harrojmë se për ku duhet të shkojmë. Që do të thotë rrezikojmë të vetëmjaftohemi dhe të justifikohemi e të rrimë në vend numëro se kthe kokën nga një anë, nuk ka kundërshtar, kthe kokën nga ana tjetër, nuk ka kundërshtarë. Shiko përpara, nuk të del njeri përballë, është bosh komplet.
Nëse do bëj një krahasim, ata vërtetë dalin dhe shajnë, kërcënojnë, akuzojnë e shpifin, por janë si ato goditjet e lugëve në një tenxhere bosh. Zhurma është shumë e madhe, por tenxherja është bosh dhe në këto kushte, ne duhet ta lexojmë këtë rrezik, sepse njerëzit e shohin shumë më mirë se ne, e ndjejnë shumë më thellë se ne boshin, sepse ne, duke qenë shënjestër, përjetojmë gjithë goditjet, gjithë sulmet, gjithë akuzat, gjithë shpifjet. Ne, duke qenë të rrethuar nga boshi, ndjehemi si qendra e botës, por njerëzit nuk i shohin këto të tjerat fare. Çfarë mendoni, se njerëzit po presin besëlidhjen e dytë të Lezhës më datë 2 mars? Si mendoni? Mendoni që njerëzit do ngatërrojnë Gjergj Kastriotin me besëlidhësit e rinj, që janë armiqtë e betuar të reformës në drejtësi? Që janë armiqtë e betuar të drejtësisë që ne po ndërtojmë? Sepse jemi ne që po e bëjmë të mundur atë që për shumë e shumë vite ishte thjesht teori, reformimi i drejtësisë, por çfarë drejtësie? Vetëm reformim në drejtësi nuk kishte. Po ndodh sot.
Tani këta, aleanca kundër drejtësisë së re do bëjë besëlidhjen e dytë të Lezhës?! Pa u lodhur të shkojë as deri në Lezhë, por duke thënë që hajdeni këtu se ne jemi këtu, për ju, me ju e ku di unë se çfarë? Nuk i shohin njerëzit fare këto.
Njerëzit shohin nga ne. Ne duhet të shohim shumë përtej atyre që kemi bërë dhe duhet të shohim shumë përtej atyre me të cilat jemi mësuar të fitojmë, sepse nesër nga ne do të kërkohet shumë më tepër, me të drejtë. E kujt t’ia kërkojnë? Nga të kthehen? Kujt t’ia kërkojnë?
Nuk dua të merrem fare me katandisjen e konkurrentëve tanë. Ata janë katandisur si karikaturat e vetes së tyre, por dua t’ju them që ne duhet t’i kuptojmë sot, pa na ndodhur, se çfarë pasojash të rënda mund të ketë, nëse ne nuk kuptojmë që ky boshi është armik i rrezikshëm e nëse ne nuk kuptojmë që ne jemi sot në pozitën që mund të jemi kundërshtari, jemi, por mund të krijojmë pasoja si kundërshtari më i rrezikshëm i Partisë Socialiste. E si ndodh kjo?
Kjo ndodh çdo ditë.
Çdo ditë ne prodhojmë kundërshti me Partinë Socialiste.
Çdo ditë ne prodhojmë kundërshti me qeverinë e Partisë Socialiste. Çdo ditë ne prodhojmë kundërshti me programin e Partisë Socialiste. Çdo ditë prodhojmë kundërshti me ata që janë arsyeja pse ne jemi këtu sot. Asnjëri nga ne nuk është arsyeja pse jemi këtu sot, janë ata të tjerët që na votojnë. Që nuk janë vetëm anëtarë partie, se anëtarë partie, e dëgjuat Taulantin, ne kemi 112 mijë, votues kemi 700 e kusur mijë. E kundërshtinë me ata, ne i prodhojmë në jetën e tyre të përditshme, kur ata duhet të marrin nga ne, qeveria jonë, në të gjitha institucionet, atë që u takon. Kundërshtitë me ata, ne i prodhojmë në jetën e tyre të përditshme, kur ata shohin se si ne krijojmë mure, gardhe, pengesa për ata, për të mos thënë kur shohin se si ne nuk e përdorim çdo ditë dhe në çdo rast pushtetin në të gjithë territorin, në shërbim të tyre, por për të bërë të kundërtën.
Nuk kam unë asnjë problem që shumëkush për shkak të Partisë Socialiste, për shkak të kontributeve për Partinë Socialiste është sot në punë, por problemi im i madh është me cilindo ndër ta që harron se në atë punë është për të mbrojtur nderin e Partisë Socialiste, si alternativë qeverisëse e qeverisë socialiste, duke u shërbyer njerëzve, duke ju përulur njerëzve e duke mos harruar kurrë, në asnjë sekondë, që motoja e kujtdo ndër ne duhet të jetë, hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj.
Kush paguan për ato zyra që nuk hapen në orën 8 të mëngjesit e njerëzit rrinë presin atje? Kush paguan për ata shefa që mbyllin derën e vijnë në orën 10, duke dredhur zinxhirin. Kush paguan? Paguan pikërisht Partia Socialiste. Paguan me besueshmërinë e saj, paguan me imazhin e saj, paguan në nivelin e besimit të saj tek vetvetja në radhë të parë, pastaj tek të tjerët. Shikojeni si ndodh në sport, kur një skuadër e madhe futet të luajë me një skuadër të dobët. Ndodh shumë shpesh që cilësia e lojës së skuadrës së madhe bie në pika që të thuash që këta janë?
E pra, ne jemi skuadër shumë e madhe e jemi padiskutim skuadra më e fortë, me diferencë. Ne jemi “Premier League”, ata janë nuk e di se cila nga këto kategoritë e tjera. Ne jemi “Champions League”, ata janë besëlidhja e dytë.
Mirëpo, problemi është që rreziku që kjo na sjell neve, që ne të mos kuptojmë se sot kemi një shkallë të ulët të politizimit të organizatës socialiste, sot të mos kuptojmë pas kaq shumë vitesh, që organizata socialiste nuk është aty për t’u mbledhur kur duhet t’i hidhet në fyt deputetit, dua punë, dua punë! Nuk është aty, as për t’u thirrur kur duhet të marrim votat. Organizata socialiste është aty, për t’u kthyer në një qendër graviteti politik, gjë që nuk e kemi sot dhe rritja e fuqisë së gravitetit politik të organizatës socialiste është ajo që duhet të bëjmë nga sot në zgjedhjet e ardhshme, duke mos toleruar më inercinë e të shkuarës, duke mos toleruar më kryetarë organizatash që vijnë dhe thonë “dua punë për djalin, për vajzën, dua punë për djalin e tezes, për vajzën e tezes, se unë i kam dhënë Partisë Socialiste”. Duke mos toleruar më dyert e mbyllura, duke mos toleruar më që të mos plotësohet numri i detyrueshëm i grave dhe vajzave në organizatë, mes një organizate me burra që nuk lënë gratë e një organizate me gra pa burra, kjo e dyta është ajo që na jep fitoren ne, jo e para. Organizatat me burra që nuk lënë gratë duhen shkrirë, nuk duhet të ekzistojnë fare, nuk na duhen fare, bashkëkryetare nuk mund të ketë. Nuk mund të pranoj unë, që vijnë deputetët në Kongres, vijnë udhëheqësit në Kongres, vijnë edhe kryetarët e partisë në Kongres dhe në zonën e tyre, në qarkun e tyre nuk e kanë arritur akoma që në çdo organizatë socialiste të kenë një bashkëkryetare grua. Eshtë e papranueshme, është turp, është tallje dhe është pjesë e asaj që thashë. Nuk mundet dot të marrim 800 mijë vota, nuk mundet dot të marrim të gjithë energjinë që na duhet për të shkuar përpara, pas dy vitesh mandate, nëse ne nuk bëjmë ndryshe disa gjëra që kemi refuzuar t’i bëjmë gjatë gjithë kohëve.
Shkalla e ulët e komunikimit të deputetëve me komunitetin është tipologji, me përjashtime që përforcojnë rregullin. Është e papranueshme që ne të mos kemi një shkallë komunikimi intensiv të deputetit me komunitetin real, jo me komunitetin që mblidhet në kafe, me të njëjtit njerëz rreth e rrotull. Patjetër që distanca me grupet e interesit në komunitet, distanca me njerëzit që punësojnë është e papranueshme në kushtet kur ne jemi të rrethuar nga boshi.
Çfarë shohin njerëzit sot nëpër media nga shumë gjërat që ne bëjmë? Pothuajse asgjë. Përkundrazi, shikojnë gjëra, të cilat janë dekurajuese dhe në një pjesë të madhe janë të pavërteta. Kush do ta mbushë këtë boshllëk që ju krijohet edhe vetë anëtarëve të thjeshtë të Partisë Socialiste, nëse ata nuk kanë një organizatë reale, që të jetë qendër politike, nëse ata nuk kanë një komunikim intensiv me ata më lart, që të jetë komunikim sistematik? Këtë do ta mbushim ne dhe sot në kohën e teknologjisë është e pafalshme, është e pajustifikueshme, është edhe kjo pjesë e armiqësisë që ne akumulojmë ndaj Partisë Socialiste si alternativë qeverisëse, që ato mrrokllat nëpër xhepa të përdoren për gjithçka, përveç se për këtë punë. Është e pamundur.
Shikoja disa që ishin përpara meje, që merreshin me mrroklla. Jam i bindur që asnjëri prej tyre nuk merrej me mrrokllat për Kongresin. Nuk është e mundur.
Ne jemi media më e madhe në Shqipëri. Ne kemi në terren qindra mijë veta. Plus mrrokllat në xhep. Të bashkohen të gjithë bashkë mediat nuk na mundin dot në përpjekjen për të dhënë informacion lidhur me punët që bëjmë, por, nëse ne nuk e bëjmë këtë, atëherë boshi zë gjithmonë e më shumë vend, duke krijuar boshllëk brenda njerëzve.
Shkalla e ulët e ndërveprimit të qeverisë dhe deputetëve dhe të dyve bashkë me popullin nuk mund të vazhdojë të jetë kështu. Anëtarët e qeverisë kanë shumë punë, por nuk është një punë angari, apo një punë që hajt ta bëjmë kur të kemi kohë, por është pjesë e kësaj pune që të ndërveprojnë me deputetët intensivisht dhe të dy bashkë të ndërveprojnë me popullin.
Ashtu sikundër, edhe shkalla e ulët e komunikimit mes vetë niveleve të qeverisjes. Ne kemi sot, të gjithë bashkitë e vendit dhe patjetër që ne e bëjmë shumë më mirë se të tjerët atë punë, por nuk është më e mundur që ne të krahasohemi me ta edhe në atë nivel, sepse është ndryshe kur je aty, pasi ke mundur një kundërshtar të fortë dhe e ke kundërshtarin e fortë aty dhe është ndryshe kur je aty dhe nuk ka asnjeri fare. Atëherë të gjithë të shikojnë ty, të gjithë presin nga ty, nuk ke as çfarë justifikohesh, as nga e kthen kokën, as të thuash shiko se e ka ky, apo shiko se e ka ai. Dhe mbi të gjitha janë të legjitimuar të kërkojnë nga ty shumë më tepër, sesa ti mund të bësh, sepse për shkak të boshit, volumi dhe pesha jote artificialisht duket më e madhe.
Prandaj unë dua ta them që ne duhet të jemi shumë të qartë, nuk merret një mandat i tretë si enerci i dy të parëve dhe nuk na duhet një fitore e mandatit të tretë, nëse ne nuk jemi në gjendje të bëhemi tre here më energjikë, tre here më të forte, tre herë më të vetëdijshëm dhe tre herë më rigorozë me vetveten. Mandat të tretë për t’u bërë shembëlltyra e konsumit dhe rraskapitjes shkojeni kërkojeni pa mua. Dhe mund ta merrni, por do të dilni nga zyrat e shtetit si të mallkuar, siç ka ndodhur edhe me të tjerë përpara. Ndërsa mandat të tretë për të bërë trefishin e gjërave që kemi bërë, po. Mandatat të tretë për të materializuar të gjitha ato që kem mbjellë e kultivuar e kemi filluar të ndërtojmë, po. Mandat të tretë për të bërë që të mos fliktet më për reformë në drejtësi, por të flitet për drejtësi, të mos flitet më për pastrim të llumit nga institucionet e drejtësisë, por të flitet për shkatërrim të llumit përballë drejtësisë, patjetër po.
Rindërtimi është kryprioriteti ynë. Shërbimet publike dhe finalizimi i fazës së parë të revolucionit digjital 2020 është prioriteti ynë, në mënyrë që brenda 2020-s, për të aplikuar për një licencë, një autorizim, një certifikatë, për çfarëdolloj tjetër, njerëzit të mos kenë nevojë të lëvizin fare nga shtëpia, por ta bëjnë vetë drejtpërdrejtë, për pak minuta dhe ata që janë nga ana tjetër e ekranit, zyrtarët, nëpunësit të bëjnë të gjithë punën që deri më sot për 30 vjet i është kërkuar njerëzve, shko atje merr një dokument, shko andej merr një dosje, tani ta bëjnë ata dhe njerëzve t’u vijë përgjigja që certifikata juaj është gati, ejani merreni. Faza e dytë është që certifikata të të vijë në shtëpi dhe për këtë duhet mandati i tretë. Nuk do kesh nevojë fare të shkosh më atje, pasi çdo certifikatë do të të vijë tek mrroklla.
Zbythja e krimit në folenë e tij është prioriteti ynë. Këtu duhet të jemi shumë të qartë që lufta me krimin na ka bërë baltë, pikërisht sepse e kemi bërë më fort se askush tjetër. Kush lufton me krimin në një vend të molepsur nga krimi, siç ishte Shqipëria, duhet ta marrë parasysh se do të akuzohet si më krimineli, do të baltoset si më i inkriminuari. Kjo nuk është eksperiencë e Shqipërisë, është histori e botës. Prokurorët e Antimafias Italiane, ata të cilët u vranë nga mafia, po të shikoni se çfarë jete kanë pasur me sulmet që u janë bërë nga krimi, nga mafia, me denigrimet, me baltën, kuptoni menjëherë këto që them. Ama sot, ne jemi në një kapitull të ri, kur mund ta materializojmë atë goditje që më përpara nuk e bënim dot. Me kë ta bënim? Janë të gjithë të lidhura bashkë.
Unë e kuptoj shumë mirë që njerëzit kanë padurim të madh për të parë drejtësinë dhe besoj se nuk them ndonjë sekret, apo ndonjë gjë të pasjellshme, nëse them se shumica dërrmuese e popullit drejtësinë e lidh me atë të besëlidhjes. Po nuk u lidhën ata, thonë, nuk kemi besë tek drejtësia. Unë e kuptoj këtë, por kjo nuk është as detyra jonë, as mundësia jonë. Detyra jonë është të bëjmë drejtësinë që pastaj merret me kë duhet të merret.
Nga ana tjetër, lufta me krimin, sot ka kaluar në një shkallë të re, sepse sot kemi një institucion të ri të drejtësisë, SPAK-un. Nuk e kishim deri dje. Me kë ta bënim, tek cilët prokurorë t’i çonim asetet që mbledh OFL-ja? Tek cili prokuror, ne mund të besonim se mund të kishim shans që këto të shkonin pastaj në gjykatë dhe tek cila gjykatë? Tek gjykatat që kanë liruar 28 kriminelë brenda vitit 2019, në shkelje të ligjit. Nga rastet më ekstreme që janë bërë mediatike, tek rastet që janë bërë më pak ose aspak mediatike. Me këta do ta luftonim?
Energjia dhe infrastruktura është prioriteti ynë. Sigurisht që projektet e mëdha, aq më tepër në një vend si Shqipëria që ne morën e po ndërtojmë, nuk maturohen shpejt. Ministrja foli për projekte që nuk janë dëshira, apo që nuk janë thjesht në një fazë të parë projektimi. Foli për projekte që do të fillojnë e do të ndërtohen prej nesh. Që nga Skavica që është dizenjuar qysh në vitet ’60-të si ëndërr dhe pastaj është materializuar si projekt e pastaj ka mbetur, tek aeroportet, aeroporti i Vlorës që do të fillojë punimet më në fund në qershor-korrik, sepse gara ndërkombëtare është hapur e mbyllet në mes të marsit dhe është periudha pastaj mbrapa. Patjetër që do të kemi, sepse tani shohim që ka shumë interes dhe që janë shumë që janë të interesuar. Tek rruga që do të lidhë Milotin me Fierin, duke kaluar përmes Thumanës, Kasharit, Rrogozhinës, që do të jetë një rrugë e standardeve më të larta e me radhë të tjera.
Prioriteti tjetër foli Klotilda për pronat dhe legalizimet. Ne tani jemi në momentin që do të kalojmë ligjin e pronës, që më në fund adreson problematika, të cilat të gjithë jemi dëshmitarë kanë mbetur në ajër. Problematika e parë, – e di shumë mirë Paulin Stërkaj, e dinë shumë mirë deputetë të zonës së veriut, kur kemi shkuar, – me njerëz që nuk kanë probleme konfliktesh, që e kanë ndarë tokën sipas kufijve të vjetër dhe që nuk e kanë dot tokën sepse nuk futen tek 7501, atyre, ne do t’u japim titullin e pronësisë për tokën e stërgjyshërve dhe do ta bëjmë para vitit 2021. Do të jetë një proces që do të fillojë këtë vit, me kalimin e ligjit.
Po shtëpitë në fshat? Kemi legalizuar 180 mijë në total, por ka akoma që nuk legalizohen. Shtëpitë në fshat do të legalizohen të gjitha, nuk ka jo këtu e jo aty. Shtëpitë e atyre që kanë ndërtuar në fshat do të legalizohen të tëra. Me ligjin e ri nuk ka “jo këtu, jo aty”. Patjetër, nëse do të kemi nevojë të bëjmë një punë publike që prek, do ta shpronësojmë si pronar i ligjshëm. Kurse në zonat urbane është ndryshe. Zaptuesit nuk do të legalizohen kur zaptimet prekin infrastrukturën e madhe kritike, sepse nuk mundet që të paguajnë të gjithë taksapaguesit shqiptarë, për të shpronësuar pastaj si të ishin pronarë të vjetër ata që ndjenjën aty e morën peng unazën e madhe të Tiranës, me muaj të tërë. Nuk ka më për të ndodhur.
Për turizmin dhe vijën bregdetare kemi gati projektligjin që të krijojmë një sistem të ri.
Dua ta mbyll me ekonominë, për t’ju thënë që rindërtimi nuk do të jetë vetëm një program strehimi, as edhe vetëm një program infrastrukture. Do të jetë një program rritjeje ekonomike.
Ashtu sikundër, duke marrë parasysh se sa shumë njerëz janë shqetësuar dhe janë shqetësuar të gjithë pothuajse nga OFL, se nuk e kuptojnë ku mbaron OFL dhe faktikisht e dimë shumë mirë që informaliteti i parasë dhe informaliteti i pasurive në Shqipëri është gjigand, kemi adresuar vetëm një aspekt të tij, informalitetin e shtëpive të ndërtuara pa leje, por nuk kemi adresuar informalitetin e parasë.
Sa kursime emigrantësh rrinë nën jastëk?
Sa kursime emigrantësh nuk hyjnë dot në bankë?
Sa makina të blera nga emigrantët me punë të ndershme mund t’i kapë nesër ligji, pavarësisht se ky ligj nuk ka lidhje me ta?
Por Shqipëria nuk mund të vazhdojë të paguajë për arsimin dhe vajzat që mësojnë kur dalin për të shkuar me shoqet të shikojnë makinat më të shtrenjta, në timon injorantët më të mëdhenj, të veshur me firmat më luksoze, që, faktiksiht e bëjnë zero të gjithë propagandën që bëjmë nëpër shtëpi: “mëso xhan i babit”, “mëso xhan i mamit”.
“Të mësoj? Cfarë të mësoj? Unë mësoj, shkoj atje, vjen tjetri me “Lamborgini” s’di të thotë as “q” as “c” as “c”, s’di asgjë!”
Kjo duhet të mbarojë, ashtu sikundër duhet të mbarojë edhe pjesa tjetër që është e kudondodhur. Njerëzit punojnë. Shqipëria nuk është me shumicë kriminelësh, as me shumicë hajdutësh. Shqipëria është me shumicë dërrmuese njerëzish që punojnë, që nuk i sheh njeri fare, se ku t’i shohësh? Në TV? Keni parë ndonjëherë në TV të thonë, “shikoni sa fermerë këtu eksportojnë”? Keni parë ndonjëherë sa shumë eksportohet në Shqipëri? Asnjëherë. Cfarë është për fshatin, është kanali filan, në filan fshat, është në gjendje të keqe dhe del edhe ndonjë që bërtet, edhe, ky është fshati. Tani, këta njerëz që punojnë shohin ata që punojnë më pak dhe kanë shumë më tepër. As kjo nuk mund të ndodhë për një kohë të gjatë.
Shqipëria do duhet shumë shpejt t’iu thotë të gjithëve: “Tregoni xhepat!” Patjetër! Por ka një ndryshim shumë të madh midis aseteve kriminale, parasë kriminale dhe aseteve dhe parave të vëna me punë. Në punë të zezë kanë punuar të gjithë shqiptarët kur shkuan në fillim në emigracion, se nuk i priti njeri me krahë hapur t’iu thonte “hajdeni në punë të bardhë!” Skllevër kanë qenë. Në punë të zezë kanë punuar. Produktet e asaj pune nuk janë kriminale. Prandaj ne do të lancojmë një amnisti të përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit me një afat të kufizuar që të gjitha paratë, të gjitha asetet t’i deklarojnë. Paratë t’i fusin nëpër banka. Asetet t’i deklarojnë. Jo një, apo dy organizata, por bota mbarë të ngrihet të thotë “kjo nuk bëhet”, kjo do bëhet, sepse ne këtu jemi në radhë të parë për të punuar për ata që na kanë sjellë këtu dhe për fëmijet e tyre dhe emigrantët shqiptarë nuk mundet më të rrinë të mbajnë para nëpër banka andej me 1001 vështirësi, as nuk mundet më të torturohen të cojnë këtu 5 mijë euro se iu fillon pastrimi i parave, jo “ku i gjete”, jo “ku s’i gjete”, as nuk mund të tmerrohen për të blerë një shtëpi këtu se fillon historia “nga i more”, “nga s’i more”. Të gjithë ata që nuk i kanë paratë me drogë, nuk i kanë paratë me terrorizëm, nuk i kanë paratë me prostitucion, nuk i kanë paratë me të gjitha ato krime që parashikohen te ligji special, ose të gjithë ata që janë politikanë, gjykatës, prokurorë dhe subjekte të deklarimit të pasurive, këta do përjashtohen të gjithë. Nuk mund të amnistohet pasuria e tyre. Këta do japin llogari, nga unë i pari, herët ose vonë, patjetër do japim llogari një më një, për cdo gjë që kemi, ku e kemi, si e kemi. Pastaj secili t’i dalë për zot. Aty s’ka më pastaj, socialist-demokrat, solidaritet. Aty ka vetëm, ose me punën, me ndershmërinë e me Shqipërinë, ose te vendi. Kurse të tjerët, në një afat kohor, duhet të kenë mundësinë t’i sjellin paratë të gjitha në Shqipëri, komplet, t’i investjnë këtu dhe t’i fusin këtu në bankë me një interes minimal, për të cilin ne do të tregojmë qartësisht se për cfarë do i përdorim dhe sigurisht do i cojmë për arsim, do i cojmë për shëndetësi, do i cojmë në shërbim të publikut. Besoj që kjo do të na japë mundëisnë që ta shtyjmë ekonominë edhe më shumë, por jo vetëm kjo, por edhe të tjerë elementë dhe të gjithë ta dinë që kur mbaron afati pastaj je ke OFL-ja. Pastaj nuk ka rëndësi, ke bërë, s’ke bërë krime. Nëse nuk e shfrytëzon këtë kohë për tu formalizuar me një amnisti të përgjithshme dhe të plotë, amnisti fiskale, amnisti penale, amnisti të cdo gjëje që s’ka Zot që të të kthehet më ty mbrapa të të thotë, “shiko se ti ato paratë që i dhe atëherë ia ke dhënë rilindjes, por ne jemi besëlidhja”, – besëlidhja nuk bëhet fjalë, por ta zëmë, – nuk ka. Kjo nuk do ndodhë! Por, ama, në momentin që kalon afati pastaj, kush i ka gjërat të padeklaruara, se do fusim edhe elementin tjetër, që, të gjitha pasuritë jashtë, si në cdo vend normal, do deklarohen këtu, i ke atje, ti mbash atje, por shteti shqiptar, e para, duhet t’i dijë, e dyta, me ligj dhe në Konventën Europiane ka të drejtën të të vijë të të ndjekë deri në fund të botës nëse ke një shtëpi, apo pasuri që nuk e ke deklaruar këtu.
Nuk dua t’ju mbaj më gjatë. Kemi pjesën tjetër të Kongresit. Besoj që, paga minimale dhe amnistia e përgjithshme janë lajme të mjaftueshme për tu dhënë njerëzve një pamje pak më të gjërë, por jo të plotë, se kemi dhe disa masa të tjera në vijim, që ne jemi tani të fokusuar te ekonomia. Ndaj, ju lutem shumë, të ekonomizojmë maksimalisht energjitë! Të mos merremi as me besëlidhjen, as me lidhjen, as me zgjidhjen, por të merremi me ekonominë, me ekonominë me ekonominë, me punën, me punën, me punën!
Rindërtimi do të jetë një kantier i madh edhe punësimi dhe ne kompanive që do hyjnë do u kërkojmë që për punwtorët të paguajnë një pagë që është sa paga mesatare sot në Shqipëri, jo të paguajnë 200 mijë lekë e 300 mijë lekë. Kush do vijë të hyjë për rindërtim do paguajë për punëtorët pagën mesatare në Shqipëri.
Me shpresën dhe me dëshirën që besoj që jemi kuptuar dhe patjetër me bindjen që i kemi të gjitha forcat, kapacitetet, mundësitë që ta cojmë me shumë forcë përara këtë fund mandati duke u fokusuar vetëm te njerëzit, duke u marrë vetëm me ekonominë, duke u marrë me investimet, duke u marrë me gjithcka që ka të bëjë vetëm me njerëzit dhe jo me boshin dhe duke e përballur boshin me fakte konkrete në jetën e njerëzve dhe duke u orgaizuar masivisht që këto fakte t’iu bëhen të njohura njerëzve që ende nuk i kanë prekur, unë ju uroj cdo të mirë!
*Fjala e mbajtur në Kongresin e PS