Nga Rigels Seliman
Teksa gjithë bota është zhytur në ankth e panik për shkak të “Koronavirusit”, në Shqipëria presidenti Ilir Meta dhe opozita joparlamentare kanë hyrë në një luftë të paprecedent me mazhorancën qeverisëse të kryesuar nga Partia Socialiste. Disa thonë që kjo betejë ka nisur pasi janë cenuar interesat, ndërsa disa të tjerë aludojnë se etja për pushtet i ka shndërruar politikanët në Shqipëri si ujqër, duke mos njohur arsyen.
Por megjithatë cilado është e vërteta, po them edhe unë dy fjalë. Në analizën time të hollë rracionale, targeti është presidenti Meta, pasi ky i fundit ditët e fundit është bërë protagonist. Meta apo Likja sikundër e thërrasin LSI-stat me përkëdheli, ka paralajmëruar mbajtjen e një tubimi kundër qeverisë pasditen e 2 marsit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mu para Kryeministrisë. Deri më tani pas partisë së bashkëshortes së tij e që quhet LSI, mbështetje për 2 marsin kanë shfaqur edhe partitë e tjera të opozitës joparlamentare, sidomos Partia Demokratike.
Të gjithë deri më tani janë në ekstazë, se të hënën e parë të marsit do të derdhet një lumë i madh humanësh në bulevard, ndërsa ofiqarët që punojnë në Presidencë, madje dhe ish-kryeministri Sali Berisha mendojnë se do të ketë aq shumë njerëz sa ka milingona në fushat me termite në Brazil. Mirëpo, për mua nuk ka rëndësi se sa qytetarë do t’i shkojnë Ilir Metës në manifestimin kundër qeverisë, por e rëndësishme është gjendja në cilën ndodhet kreu i shtetit shqiptar që është kthyer në gaz i botës me veprimet dhe sjelljen e tij.
Meta është kthyer në qesharak dhe duket se ka ikur nga fiqiri, pasi prej një viti sulmon ndërkombëtarët, mazhorancën qeverisëse dhe kundërshtarët e tij me një gjuhë që edhe “rrugaçët apo naçut” do ta kishin zili, ndërsa shëtit studio më studio, teksa si hipokrit që është betohet se nuk do të lejojë asnjë që të bëjë pis Kushtetutën. Madje, aq qesharak dhe i rënduar psikologjikisht duket presidenti im, i joti, i joni, sa të gjithë kur i takoj më pyesin për të, duke thënë: “Çfarë po ndodh dhe çfarë i ka ndodhur atij?”.
Megjithatë, edhe pse jam gazetar i politikës nuk e kam gjetur përgjigjen për pyetjen e tyre, pasi nuk kam një të tillë. Për një gjë jam i sigurtë dhe se nuk duhet të mërzitemi që Meta ka ikur nga fiqiri, ndërkohë që është tërbuar. Madje, në kësisoj rastesh duhet theksuar që zoti Meta ka lëshuar edhe pëllumbat, sikundër thotë populli për humanët që nuk dinë çfarë bëjne dhe iu flet gjuha para mendjes. Taksirati i joni dhe Shqipërisë që të durojme e mbajmë mbi supe Ilir Metën.
Ky sojsezi, më kujton Sali Berishën kur bridhte nëpër Shqipëri me Kushtetutën në dorë në ’94-trën dhe që përfundoi me turp. Por se çfarë kam një bindje se Meta do të përfundojë më keq se Saliu i parë dhe Rambo i kohëve moderne me emrin “Ramush Hardianaj”. I pari hëngri 1 milionë shuplaka dhe ra nga pushteti, ndërsa i dyti çoj Dardanët në zgjedhje me bindjen se do të fitonte, por AAK doli partia më e humbur në zgjedhjet e tetorit që u mbajtën në tetor të 2019.
Kështu që, gjasat janë se edhe Meta pritet të dalë nga politika në mënyrën më të turpshme. Ilir Meta do që të fitojë kredo politike me tubimin e 2 marsit dhe me mimozat e flamujt që do jenë dekori i atij manifestimi. Por harron që një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur, pasi i madh e i vogël e njeh apo ka dëgjuar për bëmat dhe se kush është në të vërtet Presidenti Ilir Meta. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht dhe si do shkojë kjo fabul.