Kryetari i Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, doli ditën e djeshme përpara komisionit hetimor parlamentar të ngritur për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.
Zoti Dvorani është i kallëzuar penalisht nga presidenti Meta në SPAK si një nga zyrtarët që është përfshirë në atë që kreu i shtetit, e quan “grusht shteti” për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që dje ka dhënë shpjegime mbi veprimtarinë e KED-së për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë fjalës së tij, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ka shpërthyer në akuza në adresë të Metës, teksa e akuzoi këtë të fundit se tejkaloi pozicionin e tij kur i kërkoi sqarime KED-së për publikimin e listave.
Madje, ai rrëzoi kreun e shtetit kur theksoi se nuk ishin publikuar vendimet e KED. “Ne listat i kemi bërë publike. Mund të lexohet vlerësimi i bërë. Çdo gjë është e publikuar. Dërgimi i listave nuk është e parashikuar në ligj. KED duhet të marrë vendim për mënyrën e dërgimit të listës. Presidenti i Republikës e tejkaloi pozicionin e vet. Megjithëse nuk është e shkruar në ligj ne kemi vendosur një vëzhgues. Kur vjen puna te procedura e verifikimit nuk mund të kërkoni shpjegime sepse mbledhja e këshillit merr një karakter tjetër. Unë nuk mund ta pranoj që Gjykata e Lartë që interpretimi i Kushtetutës është ky. Në këtë proces jemi të katër njësoj dhe unë nuk i jap më shumë peshë askujt”, deklaroi ai.
Kushtetuta nuk mund të lexohet si roman
Duke u ndalur tek akuzat e presidentit Ilir Meta se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk respektoi radhën dhe renditjen gjatë plotësimit të vakancave për katër vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese që i takon Presidencës dhe Kuvendi, kreu i KED, Ardian Dvorani theksoi se ato janë spekulime. Në këtë kontekst, zoti Dvorani i kujtoi presidentit Meta se Kushtetuta duhet lexuar dhe interpretuar si duhet, pasi ajo nuk është libër. “Kushtetuta parashikon që KED bën renditjen e kandidatëve dhe ua dërgon institucioneve. Kushtetuta nuk mund të lexohet si roman apo si FAX, por interpretohet dhe ka teknikat e veta”, u shpreh ai.
Më tej, zoti Dvorani hodhi poshtë edhe akuzat e ngritura nga Meta se KED ka marrë vendime jokolegjiale. Duke folur para anëtarëve të Komisionit Hetimor, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi theksoi se vendimet e KED kanë qenë kolegjiale dhe se tagrin për të komunikuar me palët e treta e ka kryetari i këtij institucioni, ndryshe nga sa pretendon Meta. “Vendimet tona përveç tabelës së pikëve, kemi për çdo kandidat vlerësimet tona, për aftësitë tona përmes një vlerësimi kolegjial. Secili anëtar është i pavarur dhe në fund duhet një mesatare.
Ne nuk ishim në një linjë të gjithë. Ne vendosëm se përveç arsyetimit kolegjial, anëtarët do të japin mendimin e tyre ndryshe. Ne njoftuam edhe organet e emërtesës. Përfaqësuesi i presidenti në fund të asaj mbledhje tha se tani që e mbyllët procesin a do të kujdeseni për respektimin e radhës. Thelbi është se ne e kemi ezauruar tani procesin. Është një procedurë administrative. Nuk kishim asnjë lloj vendimmarrje. Thamë se duhet të shohim dhe do ta përcjellim dokumentacionin. Është marrë vendim kolegjial për dërgimin e listave”, u shpreh ai.
Pezullimi i garës shkelje flagrante
Por kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani gjatë fjalës së tij para Komisionit Hetimor akuzoi presidentin Ilir Meta se shkeli ligjin dhe tejkaloi kompetencat kur pezulloi garën për Gjykatën Kushtetuese. “Ishte një vonesë prej ditës, por ishin 24 ditë të tjera. Edhe nëse ky do të ishte një problem mund të zgjidhej përmes bashkëpunimit. Palët ulen dhe diskutojnë, sqarojnë njëri-tjetrin, por nuk mund të ketë bashkëpunim në momente ekstreme. Nuk ka bashkëpunim sepse nuk ka bisedim. Kjo gjë mund të zgjidhet në rast se do të ishte problem. Nuk është çështje e vonesës së 6 ditëve. Duhet të kishte një radhë kush nga organet duhet të vepronte dhe presidenti nuk duhet ta pezullonte garën, pasi ishte e pabazuar në ligj”, nënvizoi Dvorani.