Nuk kanë fund çudirat për presidentit Ilir Meta. Ky i fundit prej një viti është zhveshur nga kostumi i kreu të shtetit, ndërsa ka nisur një ofensivë ndaj ndërkombëtarëve dhe mazhorancës qeverisëse, duke i akuzuar se janë bërë bashkë për të bërë një grusht-shteti.
Për këtë arsye, zoti Meta ka paralajmëruar se në datën 2 mars do të zhvillojë një tubim, kundër atyre që ai i etiketon si puçistë, lëvizje kjo që në korridoret e politikës dhe jo vetëm shihet si tentativë e pastër për të marrë drejtimin e opozitës.
Por ditën e djeshme presidenti Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale ftoi qytetarët të marrin pjesë manifestimin e së hënës, ndërsa në mënyrë figurative ka ngritur dy gishta lart, që janë simboli i lirisë dhe demokracisë dhe që përdoret nga Partia Demokratike. “Të dashur qytetarë, i paduruar për t’u bashkuar edhe unë me ju më 2 mars për pranverën kuqezi”, shprehet në videomesazhin e tij. Ndërkohë, po dje në rrjetet sociale, presidenti Meta ka publikuar një video nga intervista e tij për emisionin “Opinion”, ndërsa iu bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit të 2 marsit, që të protestojnë sipas tij, kundër puçistëve dhe atyre që kërkojnë të bëjnë grusht-shteti në Shqipëri.
“Çdo qytetar i vendit tonë duhet të kuptojë se kriza e tmerrshme institucionale, ekonomike e shoqërore, si dhe rritja e pasigurisë për të ardhmen, buron nga mungesa e ndërgjegjësimit tonë si shoqëri për domosdoshmërinë e mbrojtjes së Kushtetutës nga politikanët që për më shumë pushtet i vënë kazmën themeleve të shtetit, si përmes ndërhyrjeve të nxituara dhe jo transparente, ashtu edhe përmes bërjes së ligjeve anti-kushtetuese që minojnë sundimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor, siç është bërë traditë sidomos në vitet e fundit. Është koha që sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur dhe dhunuar Kushtetutën e Republikës. Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit! Ndaj në 2 mars zëri juaj duhet të dëgjohet si asnjëherë tjetër”, nënvizoi presidenti Ilir Meta.