Çamët dhe grekët u janë rikthyer dje sulmeve në distancë, ndonëse vegjetojnë në të njëjtin koalicion. Pasi i kapërdinë të gjitha sulmet ndaj njëri-tjetrit, çami Idrizi dhe greku Dule, vendosën të hynë në një koalicion të përbashkët me PD. Pas kësaj, të dy i harruan qëllimet e partive që drejtojnë dhe vetëm ditën e djeshme janë kujtuar për çamët dhe minoritarët.
Vangjel Dule organizoi një tryezë për të drejtat e minoriteteve, ku foli me gjuhën e Athinës. Ashtu sikurse kërcënojnë liderët grekë, edhe Dule u shpreh se nuk do të ketë hapje negociatash, pa respektuar minoritetin grek. Kujtojmë se Greqia prej vitesh ka vetëm një kusht kryesor për rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE, që është respektimi i të drejtave të minoritetit. Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, parti që mbron të drejtat e minoritetit grek, dje ka akuzuar qeverinë se sipas tij nuk mbron të drejtat e minoritetit grek. “Respektimi i të drejtave të minoritetit do të bëhet realitet se rrugë tjetër nuk ka.
Është një shkallë që pa e ngjitur nuk mund të arrihet në integrim. Nuk mund të kapërcehet. Pse minoritetet në Mal të Zi duhet të kenë të drejtat e tyre për festimin e festave kombëtare ndërsa tek ne kjo nuk mund të jetë e rregulluar me ligj. Nuk mund të jemi në rolin e strucit që fut kokën në rërë, kujtojmë se të tjerët nuk e shikojnë realitetin në vendin tonë. Mbrojtja e të drejtave të minoriteteve është “litmus test” është si letra e lakmuesit për lirinë dhe shtetin e së drejtës”, ka deklaruar Dule.
Idrizi kujtohet për çështjen çame
Sa i takon Idrizit, ishte 29-vjetori i Shoqatës Çamëria, ai i cili i kujtoi të flasë për problemet e çamëve. Pasi u ul në një tryezë me Dulen, Idrizi është tërhequr nga qëndrimet politike, por dje u rikthye me këmbë në tokë. “Kur ne i kërkojmë palës shqiptare zbatimin e Rezolutës për Çamërinë, na përgjigjet qeveria greke dhe idiotët e dobishëm të Athinës në Tiranë se Çamëria është e barazvlefshme me termin Vorio-Epir.
Kur ne kërkojmë të ngrihet në Çamëri, një varrezë njerëzore e një përmendore kujtesë për mijëra pleq, gra e fëmijë të masakruar si në filmat horror, se ata u masakruan jo në luftë me armë në dorë po në shtëpitë e tyre me bukë në gojë, këta na përgjigjen me ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë, që erdhën e u sollën si pushtues në Shqipëri, e që grekët sot refuzojnë t’i marrin në shtëpitë e tyre, por pranojnë t’i ngulin si kunja e pyka në kufijtë e Vorio-Epirit”, ka deklaruar Idrizi. Më tej kreu i PDIU, ka thënë se ata kanë kërkuar statusin e minoritetit etnik shqiptar dhe hapjen e shkollave shqipe. Por kërkesave të tyre, ka sqaruar ai i janë përgjigjur me ligjin për minoritetet. “Kurse Greqia ngre në disa qytete përmendoren e turpit për kriminelin Napolon Zerva.
Kemi kërkuar statusin e minoritet etnik shqiptar dhe statusin e 1927-ës për hapjen e shkollave shqipe, na përgjigjen me ligjin për minoritetet, ku e nxorën Shqipërinë me 9 minoritete. Kërkuam heqjen e diskriminimit dhe ndalimit të kalimit në kufi të të moshuarve çamë që kanë lindur atje, na u përgjigjen me Marrëveshjen e Toponimeve me Greqinë. Marrëveshje që pikërisht këta të moshuar 78 vjeç e sipër”, tha ai./Arbjona Çibuku