Deklaratat e Ramës përballë Lavrov përplasin Uashingtonin me
Deklaratat e forta të kryeministrit Edi Rama në Moskë, teksa ishte përballë me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, kanë sjellë shumë reagime në vend. Sakaq një postim në rrjetet sociale i ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila mbështeste deklaratat e kryeministrit Edi Rama, ka bërë që të përplasen Uashingtoni dhe Moska.
Ambasada ruse ka sulmuar ambasadoren Yuri Kim duke thënë se ka deformuar deklaratën e ministrit të Jashtëm rus. Kim shkruajti në rrjetet sociale se ministri i Jashtëm i Rusisë u përpoq që të thoshte se Shqipëria është e detyruar nga NATO dhe SHBA që të mos krijojë lidhje me Rusinë. “Më 26 shkurt, Lavrov u përpoq të thoshte se Shqipëria është e detyruar ndaj NATO-s dhe BE-së dhe e pengojnë në lidhjet me Rusinë. Edi Rama e korrigjoi: Ne nuk jemi me NATO-n ose BE-në sepse jemi të detyruar të bëjmë, por sepse ne kemi zgjedhur dhe jemi krenarë që i përkasim asaj familjeje të madhe”, ka shkruar Kim.
Reagon ambasada ruse
Por ambasada e Rusisë në Shqipëri ka reaguar mbi këto deklarata. Me anë të një postimi në Facebook, kjo e fundit ka akuzuar ambasadoren Yuri Kim se ka deformuar fjalët e ministrit rus. “Kemi vënë re se ambasadorja e SHBA-ve në faqen e saj në Twitter dhe më pas edhe një sërë mediash lokale kanë shtrembëruar fjalët e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në konferencën për shtyp me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Edi Rama”, thuhet në deklaratën e ambasadës ruse. Sakaq ambasada ruse ka bërë një ballafaqim të deklaratës së ambasadores amerikane dhe deklaratës që ka bërë Lavrov në Moskë. Për të dëshmuar këtë ambasada ka publikuar edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm rus në anglisht. Më tej ambasada shkruan se shkaku mund të jetë përkthimi i gabuar. Por sakaq nga ana tjetër shton se mund të jetë edhe një mosdëshirë, duke sulmuar kësisoj ambasadoren Yuri Kim, që sipas ambasadës ruse nuk ka verifikuar fjalët origjinale të Lavrov. “Pse? Shkaku mund të jetë përkthim i gabuar ose mosdëshirë për të verifikuar fjalët origjinale. Shpresojmë se kolegët tanë e kanë bërë pa qëllim të keq. Prandaj postojmë versionin origjinal”, shkruan ambasada ruse.
Deklaratat e Lavrorv
Ishte pikërisht deklarata e Lavrov ajo që bëri që palët të përplaseshin, ose kjo e fundit ishte thjesht një pretekst duke pasur parasysh marrëdhëniet e dy vendeve. “Ne e dimë që Shqipëria synon anëtarësimin në BE. Unë besoj që Shqipëria mund të jetë një nga ato shembuj kur detyrimet e pengojnë që të zhvillojë marrëdhënie miqësore me përfitime të përbashkëta në tregti, investime dhe ekonomi”, kështu e ka cituar Yuri Kim kryediplomatin rus. Sakaq ambasada ruse ka hedhur një tjetër version të deklaratës së ministrit rus. “Ne jemi të hapur për të zhvilluar marrëdhënie aq intensive sa janë të lumtur kolegët shqiptarë.
Kryeministri theksoi detyrimet që Shqipëria ka si anëtare e NATO-s dhe sidomos ndaj aleatëve të tyre, SHBA. Jemi në dijeni që Shqipëria kërkon procesin e anëtarësimit për të hyrë në Bashkimin Europian dhe po e shohim se kjo aktualisht po ndodh. Por, ka shembuj të shumtë dhe jam i sigurtë që Shqipëria mund të bëhet njëri prej tyre, ku asnjë detyrim i mësipërm nuk ndalon zhvillimin normal, të shëndetshëm të marrëdhënieve me përfitim të përbashkët në sfera si tregtia, investimet, ekonomia dhe promovimi i kontaktit të njerëzve në fushat humanitare, kulturore dhe arsimore. Nuk shoh asnjë arsye që mund të na ndalojë ne të zhvillojmë të tilla marrëdhënie”, citohet nga përkthimi i ofruar nga përfaqësia diplomatike ruse në Tiranë./Sot/ARBJONA ÇIBUKU