Thirrjeve të Ilir Metës për të protestuar në 2 mars kundër qeverisë i janë bashkuar dje edhe aleatët e Partisë Demokratike. Fillimisht ka qenë kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale deklaroi ditën e djeshme se në datë dy mars do të jetë në shesh krah presidentit Ilir Meta në tubimin anti-qeveritar, ndërsa theksoi se mbrojtja e Kushtetutës është detyrim për të gjithë qytetarët.
Sipas Mediut, republikanët do të jenë në 2 mars në shesh për Kushtetutën, por jo për presidentin Meta. “Kushtetuta është marrëveshja që shqiptarët kanë bërë për t’i vënë kufi pushtetit dhe pushtetarëve, makutërisë dhe marrëzisë. Është marrëveshja që mbron liritë dhe të drejtat, të drejtën e pronës, sigurinë për jetën. Mbrojtja e Kushtetutës është detyrim për të gjithë qytetarët. Në 2 mars shqiptarët, demokratë, republikanë, socialistë me dhe pa parti bashkohen për jetën dhe lirinë e tyre, jo për Presidentin, jo për parti, por për Kushtetutën dhe ligjin, kundër shkatërrimit të shtetit nga Rilindja”, shkruan kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Nga ana tjetër, krah presidentit Ilir Meta dhe tubimit të thirrur nga ky i fundit në 2 mars është rreshtuar edhe kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Ky i fundit përmes një statusi në rrjetet sociale, deklaroi ditën e djeshme se dita kur Ilir Meta ka caktuar manifestimin me qytetarët është një datë jo për presidentin, por për qytetarët. Në këtë kontekst, Duka theksoi se do jetë në 2 mars me bashkëqytetarët për të marrë mbrapsht pushtetin që i ka zhvatur mazhoranca. “Përballë sulmit të paprecedent të mazhorancës ndaj institucioneve, mendoj se është koha që mazhoranca e qytetarëve, t’i vendosë fre arrogancës së pushtetit.
Dy marsi është një datë që nuk i përket Presidentit, por gjithë qytetarëve që kërkojnë një shtet të së drejtës, jo një shtet monist, prandaj do të jem aty me bashkëqytetarët e mi. Nuk mund të tolerojmë kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë pushteti tjetër; madje, iu bëj thirrje qytetarëve, që në dy mars të vijnë dhe të marrin mbrapsh pushtetin që iu kanë zhvatur një grusht i vogël njerëzish”, deklaroi kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.