Ilir Meta duket se më 2 mars nuk do të protestojë vetëm kundër qeverisë, por edhe ndërkombëtarëve. Përveç sulmeve nga studiot televizive, Meta po i sfidon hapur ndërkombëtarët me deklarata shtypi. Prej një kohe të gjatë kreu i shtetit është në një luftë mjaft të ashpër me ndërkombëtarët, duke i akuzuar këta të fundit se janë kthyer në servil të qeverisë.
Duke radhitur arsyet, Meta dha argumente pse shqiptarët duhet të ngrihen në protestë në datë 2 mars kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Kreu i shtetit vijoi me të njëjtat akuza edhe ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. “Përse Presidenti i drejtohet popullit? Sepse sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit shqiptar. Të gjithë ne të tjerët, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, jemi vetëm ushtrues të përkohshëm të këtij sovraniteti dhe asgjë më shumë. Sa shkresa zyrtare i ka drejtuar Presidenti i Republikës, Kuvendit dhe Kryetarit të tij, ku i ka kërkuar bashkëpunim për të parandaluar situatën e rëndë që po krijohej për shkak të bllokimeve të qëllimshme të funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe zbrazjes së Gjykatës Kushtetuese? Nuk numërohen.
Po përgjigje nga Kuvendi? Zero në mënyrë zyrtare. Po publikisht? E kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët: Jemi më mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Pse? Se bëjmë çfarë të duam e s’na kontrollon njeri”, tha ndër të tjera presidenti Meta në postimin e tij. Por të njëjtin mesazh kreu i shtetit e ndahu edhe në gjuhën angleze, ku e postoi edhe në faqen e Presidencës, duke sfiduar kështu hapur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Por publikimi i këtij mesazhi në anglisht duket se është bërë me qëllim që ky mesazh t’iu shkojë edhe ndërkombëtarëve, duke i sfiduar hapur. Kreu i shtetit duket se po kërkon që të largojë vëmendjen nga shkeljet e tij kushtetuese dhe ta kalojë vëmendjen diku tjetër. Tashmë prej kohësh Meta është në një luftë të ashpër me partnerët ndërkombëtarë, duke i sulmuar dhe akuzuar hapur këta të fundit se janë bërë servilë të qeverisë. Por pas kësaj sfide, duket se lufta mes presidentit Ilir Meta dhe ndërkombëtarëve po ashpërsohet akoma më shumë.
Ngjela paralajmëron fundin politik të Metës
Por ndonëse presidenti Meta ka shpërthyer në sulme të forta ndaj ndërkombëtarëve, avokati Spartak Ngjela paralajmëroi fundin politik të kreut të shtetit. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai tha se presidenti po kërkon të trembë politikën amerikane që kjo të ndalojë operacionin antikorrupsion në Shqipëri, duke shtuar se Meta nuk ka më të ardhme politike. “Kë po kërcënon Meta me “revolucion popullor”? Meta po kërkon të trembë politikën amerikane që kjo të ndalojë operacionin antikorrupsion në Shqipëri. Po, me çfarë mjetesh kërkon ta bëjë Meta këtë? Me “revolucion popullor”, po thotë; dhe, nga broçkullat që flet, duket sikur kërkon të ngjallë Fidel Kastron. Por, sigurisht që amerikanët tallen me të. Kurse shqiptarët po presin me padurim që, në trupin e shtetit të tyre të korruptuar të fillojë operacioni kirurgjikal për pastrimin e infeksionit njëqindvjeçar. Dhe ata po e presin nga politika amerikane këtë “operacion kirurgjikal”. Po Meta, çfarë do të bëjë? Meta nuk ka më të ardhme politike, le të bëjë çfarë të dojë”, tha Ngjela./ELISJEDA KIKO/Sot