Pas përzgjedhjes së kreut të BKH, do të nisë procesi i piketimit të 60 hetuesve që do të hapin dosjet e korrupsionit. Por para se të nisin punën, ata do i nënshtrohen një trajnimi rigoroz në Virxhinia të SHBA. Bëhet fjalë për akademinë e FBI në këtë shtet.
Akademia e Trajnimeve është e vendosur rreth 36 milje larg Uashingtonit dhe është një strukturë kombëtare me shërbime të plota, ku përfshihen salla konferencash dhe klasa, dhoma për të fjetur, vende për të pushuar, palestër, pishinë, bibliotekë dhe një sallë ngrënieje. Gazeta po zbardh sot disa detaje sesi oficerët e BKH do të trajnohen në këto ambiente dhe ku do të jetë i fokusuar ky proces. Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta, hetuesit e BKH do të trajnohen për të identifikuar dhe luftuar tendencat e politikës, ekonomisë a faktorëve të tjerë të jashtëm që të ndërhyjnë në punët e brendshme të policisë. Trajnime do të ketë po ashtu edhe për të shmangur ndikimin e organizatave kriminale në radhët e policisë dhe hetuesve.
“Temat e zgjedhura për programin e trajnimit për drejtuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit përfshijnë: tendencat e politikës, ekonomisë dhe faktorëve socialë kombëtarë e ndërkombëtarë që ndikojnë në funksionimin e policisë; etika dhe integriteti; rekrutimet në punë, ryshfeti dhe politikat promovuese; marrëdhëniet me median; marrëdhëniet e punës; financimi i operacioneve policore; trajnime për çështjet ligjore dhe ndikimi i veprimtarisë kriminale në polici”, thuhet në dokument.
Ekspertët e FBI amerikane do të synojnë t’i përgatisin hetuesit tanë të BKH që një vëmendje të veçantë t’i kushtojnë edhe korrupsionit. Përmes programeve të trajnimit, anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të mësojnë sesi të bien në gjurmët e parave të korrupsionit dhe ta luftojnë këtë fenomen në tërësi. Trajnime do të ketë edhe për përgjimet, por edhe për të shmangur krimin kibernetik. Për të gjitha këto, do të mbahen orë të specializuara. “Programi Bilateral i Trajnimit mbështet kërkesat e zyrtarëve të atashuar për të trajnuar partnerët e huaj për zbatimin e ligjit në vendet e huaja dhe në SHBA. Akademitë Ndërkombëtare për Zbatimin e ligjit përmes programeve intensive të trajnimit mësojnë teknika të menjëhershme për udhëheqjen e hetimeve. Po ashtu ofrohen klasa të specializuara për gjithçka, nga korrupsioni e paratë e gjeneruara nga ky fenomen, tek krimi në internet”, theksohet në dokument.