Presidenti Ilir Meta duket se është i gatshëm të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar shkarkimit dhe pse jo një hetimi penal më pas. Ndonëse prej disa ditësh deklaron se po bën gjithçka për të ndalur dhunimin e Kushtetutës, faktet flasin ndryshe.
Nëse bëjmë një kronologji të lëvizjeve të Presidentit vitet e fundit, i vetmi person që ka shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën është kreu i shtetit. Më 28 prill 2017 Parlamenti i Shqipërisë me 87 vota pro zgjodhi Ilir Metën President të Republikës. Por edhe pse ishte zgjedhur president, Meta doli në fushatë në zgjedhjet e përgjithshme duke mbajtur flamurin e LSI.
Neni 89 i Kushtetutës thotë: “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”. Meta përdori dy manovra duke tentuar të shmangë Kushtetutën: Së pari përdori si justifikim se nuk ishte betuar si president; dhe së dyti kishte dorëzuar teserën e partisë. Por neni 86 i Kushtetutës thotë se Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e popullit dhe jo të LSI. Si në 2017 edhe sot Meta po shkel me të dyja këmbët Kushtetutën, pasi detyra ja do të jetë mbi palët.
Anulimi i zgjedhjeve dhe Kushtetuesja
Një tjetër akt antikushtetues ishte anulimi i zgjedhjeve vendore. Më 8 qershor Meta nxori një dekret të padëgjuar në histori, duke anuluar zgjedhjet. Asnjë nen i Kushtetutës nuk ja jep këtë të drejtë. Edhe Komisioni i Venecias e faktoi hapur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën. Përveç kësaj ka shkelur sa herë ka dashur Kodin Zgjedhor. Ky i fundit shprehej qartë se zgjedhjet dekretohen 6 muaj para. Po ashtu kemi 3 bashki në vend që janë pa kryetar dhe ligji e detyron presidentin të shpallë zgjedhje, por Meta e nëpërkëmb. Një tjetër rast kemi atë të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Neni 125 thotë: “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit”. Por Presidenti zgjodhi Marsida Xhaferllarin, e cila renditej e katërta. Pra kemi shkelje të kësaj dispozite. Po ashtu Kushtetuta nuk përcakton në asnjë nen të saj që Presidenti mund të pezullojë garën. Ndërkohë është shkelur hapur neni 7/b, që shprehet qartë se Presidenti duhet ta zgjedhë anëtarin e tij brenda 30 ditëve, gjë që Meta nuk e bëri.
Lufta për KED dhe frika nga shkarkimi
Me sulmet dhe paditë ndaj Dvoranit, Meta po tregon qartë se do të kapë KED dhe të ketë njerëzit e tij në Kushtetuese. Sipas ligjit, nëse ndaj kreut të KED nis ndjekja penale, drejtimin e merr anëtarja më e vjetër nga radhët e Kushtetueses, që është Vitore Tusha, e bindura e Metës. Pra e gjithë lufta po bëhet që në krye të KED të vihet Vitore Tusha dhe përmes saj të vihen të besuarit e Metës në krye të Gjykatës Kushtetuese. Faktet tregojnë qartë, pasi Meta dekretoi Xhaferllarin, bashkëjetuesen e Enkelejd Alibeajt dhe ish-vartësen e tij në KLD. Po ashtu në vendet vakante që ka shpallur, kemi emra të skualifikuar më herët, siç janë Zhaklin Peto, etj. Pra duket qartë se Meta po tenton të vendosë në Kushtetuese të besuarit e tij.
Por pse kjo lëvizje? Meta me gjasë në prill do të shkarkohet dhe fjalën e fundit do e ketë Kushtetuesja. Por frika më e madhe tij është se çfarë ndodh më pas? Meta ka një dosje në prokurori për aferën CEZ-DIA, e dorëzuar nga juristi Romeo Kara. Ka një pasuri miliona eurosh që vështirë se e justifikon vetëm me një rrogë shteti. Fëmijët e tij shpenzojnë çdo vit 140 mijë paund në Londër vetëm për pagesën e shkollës. Historia e videos Meta-Prifti është ende e freskët, për të mos shkuar te floriri i Kërrabës dhe aferat e LSI kur ka qenë në pushtet./Sot/ KLITI TOPALLI