Ilir Meta u shpreh se në datë 2 mars do të zbresë në fushën e betejës, prandaj fton qytetarët që t’i bashkohen në shesh kundër qeverisë. Por i pyetur se cfarë do të ndodhë nëse populli e refuzon thirrjen e tij, Ilir Meta dha këtë përgjigje “Qytetarët duhet të tregojnë vullnetin e tyre.
Presidenti do të tregojë vullnetin e tij. Presidenti po del në fushën e betejës për t’i bërë paralajmërimin e fundit grupit puçist. Populli shqiptar, në qoftë se është mirë dhe mendon se Presidenti nuk është rregull, le të vazhdojë të rrijë në shtëpi, të durojë çdo ditë thundrën e një pushteti shtypës. Edhe më të larta do t’i ketë taksat. Edhe më të shumta do të jenë padrejtësitë.
Do të vdesin njerëzit, do të vrasin veten për 12 mijë lekë si ai tjetri apo të tjerët që nuk kanë paguar energjinë për aq apo për kaq muaj. Apo tërë njerëz që dënohen për gjëra fare të vogla, por që duhet të dënohen në bazë të ligjit apo ministren me etikë të Drejtësisë se si flet për sukseset e reformës, ndërkohë që është në krye të një bande që falsifikon dhe bën shumë vepra penale për të rrëmbyer me vetëdije të plotë, se ia kërkon partia, Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.
Ia rrëmben këtë kryetarit të shtetit, të cilit Kushtetuta ia ka dhënë në mënyrë të qartë atij dhe vetëm atij” tha ai ndër të tjera.