Afrimi i SPAK dhe BKH duket se po tmerron shumë persona. Pak ditë më parë gazeta tregoi sesi gjatë vitit 2019 janë rritur rastet e fshehjes së pasurive, por në të njëjtën linjë janë rastet e pastrimit të parave.
Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës dhe ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, e kanë futur Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave, duke treguar qartë se ky fenomen ka filluar të rritet ndjeshëm.
Vendimi del në një kohë kur SPAK sapo është ngritur dhe Byroja Kombëtare e Hetimit është në proces e sipër, çka tregon se gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të ndryshëm po tentojnë manovra për të justifikuar pasuritë korruptive. Pasi njoftoi se Shqipëria është pjesë në listën gri, FATF kujtoi se Shqipëria doli nga kjo listë në vitin 2015, ndërsa në fund të vitit 2018, ky institucion u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të shtojnë përpjekjet në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre, të lidhura me aktivitete që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme dhe në trajtimin e rreziqeve terroriste të financimit të lidhura me to.
Shqipëria në listën gri
KiE ka konstatuar se vendi ynë ka mangësi strategjike për të parandaluar pastrimin e parave dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, është sqaruar se Shqipëria, si një vend që tashmë është në listën gri po punon me FATF për të treguar problemet në këtë fushë. “Në shkurt të vitit 2020, Shqipëria bëri një angazhim politik të nivelit të lartë për të punuar me FATF dhe MONEYVAL për të forcuar efektivitetin e regjimit të saj në luftën kundër pastrimit të parave. Që nga përfundimi i raportit të vlerësimit dypalësh (MER- mutual evaluation report) në korrik 2018, Shqipëria ka bërë përparim në një numër të veprimeve të rekomanduara të MER për të përmirësuar përputhjen teknike dhe efektivitetin, duke përfshirë edhe rritjen e të kuptuarit të autoriteteve përkatëse për rreziqet e financimit të terrorizmit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Zgjidhja e problemit
Ndërsa Shqipëria është shprehur e gatshme që të zgjidhë problemin, në raportin e Task Forcës Financiare evidentohet puna që vendi ynë duhet të bëjë për të dalë nga lista gri. “Shqipëria do të punojë për të zbatuar planin e saj të veprimit, duke përfshirë: kryerjen e një analize shtesë të thelluar për të kuptuar sa duhet pastrimin e parave dhe rreziqet e tjera, dhe forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional; përmirësimin e trajtimit në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë; krijimi i mekanizmave efektiv për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal të ekonomisë, përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve kompetente; duke siguruar që informacionet e sakta dhe të azhurnuara të pronësisë janë të disponueshme në baza në kohë; rritja e numrit dhe përmirësimi i sofistikimit të ndjekjeve penale dhe konfiskimeve për pastrimin e parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra kallëzuesish të huaj ose pastrim parash të palëve të treta; përmirësimi i zbatimit të sanksioneve financiare të synuara”, shkruhet në raport.Sot/ORNELA ÇELPICA