Një rrjet i gjerë që vijon të funksionojë në paligjshmëri në vendin tonë në fushën e basteve sportive, u godit nga Policia e Shtetit duke sjellë një numër të lartë arrestimesh në tetë qarqe, 115 persona. Goditja më e madhe u shënua në Tiranë, ku u vunë në pranga 84 administratorë dhe menaxherë të lokaleve dhe u zbulua një sallë qendrore që monitoronte aktivitetin në pikat e tjera tek e cila u sekuestruan 170 milionë leke të vjetra.
Arrestimet erdhën pas hetimeve 7 mujore, dhe rreth 500 kontrollove me vendim gjykate në ambiente që ishin kthyer në vatër të lojërave të fatit dhe basteve online. Mes tyre, është edhe një emër mjaft i njohur, Gramoz Murarajt nga Vlora. Ai ka qenë një nga pronarët e kompanisë së basteve “eccobet” në Shqipëri, kompani të cilin ai e ka menaxhuar më vëllanë e tij Besnik Murataj. Ai ishte arrestuar në Vlorë vite më parë, me qëllim për t’u ekstraduar në Itali ku ishte i dënuar për trafik droge, por ka arritur të shpëtojë nga një vendim i Gjykatës së Lartë që rrëzoi kërkesën e autoriteteve fqinje. I arrestuar në “Qytet Studenti” përfundoi edhe vëllai i Natasha Mulajt, shefes së Këshillit të Posaçëm të Apelimit për vettingun, Elvis Mulaj.
Organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme, mes të cilëve dyshohet të jetë emri i Gramoz Muratajt, rrezikon 7-15 vite burg, sipas parashikimeve të Kodit Penal.
Operacioni me përfshirjen e 1540 forcave policore u kodua “Fati i Lojërave” dhe u zhvillua në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Lezhë e Shkodër, mbrëmjen e djeshme gjatë kohës që po luheshin ndeshjet e vlefshme për Europa League.
Policia sekuestroi 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celularë, një numër të konsiderueshëm televizorësh plazma, blloqe shënimesh që shërbenin për vendosjen e basteve, kasa fiskale dhe një armë zjarri pistoletë. Ndërkohë që vijojnë që të jenë në kërkim 2 persona dhe 24 po ndiqen në gjendje të lirë.
Ky operacion është në vijim edhe në qarqe të tjera – tha në një deklaratë për mediat drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu – për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të ushtruar aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit.
Fenomeni, duket se nuk është zhdukur, edhe pse me ligj, bastet online u ndaluan prej fillimit të vitit 2019.
Si funksionon skema e basteve në paligjshmëri?
Një qytetar i zakonshëm që preferon bastet, e ka të pamundur të provojë ‘fatin’ nëse nuk është i lidhur me personat që mbajnë në “jetë” në paligjshmëri këtë biznes. Shumë pika bastesh të mbyllura, u ‘kamufluan’ si lokale të zakonshme, por nuk humbën klientët bastexhinj. Personat në krye të kësaj skeme në të zezë, me një telefon të vetëm, duke arritur të fshehin ID-në e celularit që identifikon se është në Shqipëri, futet në faqet e huaja të basteve, të cilat në vendin tonë janë të bllokuara nga AKEP. Më tej, përmes një numri llogarie, qytetarët mund të vënë bastet. Ndërsa në mungesë të apasionuarve pas sportit që nuk kanë karta krediti, janë personat në krye të kësaj skeme, që u marrin paratë në dorë dhe i vënë bastet nga një kartë që përdorin masivisht për biznesin e tyre të paligjshëm. Kompanitë e transferta të parave dyshohet të jenë në vendet fqinje, ose shtete të tjera.
Disa nga menaxherët e arrestuar
Gramoz Murataj
Ervin Frashëri
Isuf Tato
Igli Oboni
Elvis Mulaj
Denis Hysko
Erdian Myftari