Pas lajmit se një 43-vjecar me emrin Bilbil Hasani ishte vetëvarur në qelinë e burgut, ku qëndronte prej rreth 3 muajsh në pritje të vendimit të gjykatës për vjedhjen e 12 mijë lekëve të vjetra, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, ka nisur menjëherë hetimin mbi mënyrën se si është trajtuar proceduralisht rasti në fjalë.
Më poshtë deklara e plotë e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë:
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani u njoh nga mediat me lajmin e vetëvarjes së 43 vjecarit B.H. në institucionin e vuajtjes së dënimit 313 në Tiranë, si dhe me pretendimin se i ndjeri po qëndronte me masë sigurie në burg, për shkak se kishte vjedhur 12 mijë lekë të vjetra.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë po vlerëson rastin për fillimin e verifikimit nëse ka patur vonesa në veprimet procedurale hetimore apo gjyqësore, si dhe nëse ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural.”