Suksesi që arriti kryeministri Edi Rama në Konferencën e Donatorëve, ku plot 1.15 miliardë euro u dhanë për të ndihmuar Shqipërinë në kuadër të tërmetit të 26 nëntorit, shkaktoi shumë debate sidomos në vendin tonë.
Opozita e më së shumti Lëvizja Socialiste për Integrim e ka cilësuar si një goditje dhe mosbesim për kryeministrin Rama shumën e vogël dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë. Por kjo gjë është kërkuar vetë nga shefi i qeverisë shqiptare dhe këtë e konfirmoi administratori i USAID, Mark Green.
Tre ditë përpara zhvillimit të Konferencës së Donatorëve, i ndodhur në Mynih gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë, ai ndër të tjera kur ka folur për ndihmën që USAID jep në shumë vende të botës, ka marrë shembullin e Shqipërisë, e cila nuk ka kërkuar fonde, por asistencë teknike. “Nuk ka të bëjë gjithmonë me paratë. Për shembull, Shqipëria, një vend që ne po punojmë me ta. Kur u takova me kryeministrin e Shqipërisë disa javë më parë, ai ishte shumë i sinqertë. Ai tha: “Dua gjithçka që ju djema keni bërë për ne.
Disa nga ato programe të vjetra, ne nuk duhen më. Ajo që na duhet është ndihma teknike për korrupsionin dhe transparencën”. Pra, në atë rast, me të vërtetë nuk ka të bëjë me paratë. Po siguron një ekspertizë teknike”, është shprehur Green. Ndërkohë, edhe pse kjo gjë u nënvizua në fjalën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer në Konferencën e Donatorëve, të njëjtën gjë përsëriti edhe kryeministri Edi Rama dy ditë më parë teksa ishte i ftuar në një studio televizive. “Unë kam Zahon që pret aty për ditëlindjen e të motrës prandaj më pyesni për gjëra të rëndësishme. SHBA nuk shquhet për zemërgjerësi për fondet, por për gjëra të tjera.
Është një shumë që për SHBA, për atë mënyrë që kanë qasjen e tyre është shumë OK. Akademinë e transparencës e kam kërkuar unë në SHBA, shkova aty dhe i thashë unë e di që keni një qasje tjetër për donacionet, mobilizuan fondet pafund për Haitin, por në një mënyrë tjetër. Dua që në programet e USAID të bëjmë një switch nga një shumë parashikuar për më tutje, dhe dua një akademi transparence që fillon me një pilot për rindërtimin, dhe më pas do të kontrollojë gjithë procedurat. Palmer e tha, me kërkesë të kryeministrit. Legjendat i komentoni ju, i propagandoni ju, dhe kur vij unë përgjigjem për legjendat”, deklaroi kryeministri Edi Rama.