Dy ditë pas Konferencës së Donatorëve, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëria Yuri Kim takoi krerët e politikës dhe shtetit shqiptar.
Me anë të një deklarate për mediat, ambasadorja Kim shprehet se takoi kryeministrin Rama, presidentin Meta dhe kreun e opozitës Basha, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
Ajo shprehet se me ta ka diskutuar rreth pritshmërive që ka për transparencën me donacionet që do të përdoren për rindërtimin pas tërmetit.
Nderkohe qe takimi ka ardhur dhe pak ore pas deklaratave te forta te Ilir Metes, i cili ka partalajmeruar nje tubim kunder qeverise me 2 mars, ne moton e mbrojtjes se Kushtetutes.
“Sot u takova me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara.
Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit.
Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi.
Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike.
Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”, deklaroi Kim.(TemA)