Delegacioni i Komisionit të Venecias, i përbërë nga Herdis Kjerulf Thorgeirsdottir, anëtare e Komisionit të Venecias për Islandën, Michael Frendo, anëtar i Komisionit të Venecias për Maltën, si dhe ekspertë të Komisionit, mbërriti ditën e djeshme në Tiranë për paketën anti-shpifje.
Ky delegacion me mision fakt-mbledhës po zhvillon një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të politikës, por edhe me përfaqësues të Autoritet të Medias Audiovizive, në një periudhë prej tre ditësh, për të mbledhur fakte dhe mendime në lidhje me një prej çështjeve më të diskutuara në vend gjatë muajve të fundit. Axhenda e këtij delegacioni nisi me një takim me deputeten socialiste, njëherësh zv.kryeparlamentare, Vasilika Hysi në kryesinë e Kuvendit e më pas me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend. Më pas, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias takuan grupin parlamentar të PS, të opozitës dhe Komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik.
Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime edhe me përfaqësues nga Këshilli i Ministrave. Me presidentin Ilir Meta, i cili kundërshtoi dhe më pas dekretoi kthimin e kësaj pakete në Kuvend, delegacioni do të takohet ditën e sotme, në ambientet e Presidencës, e më pas me kryetaren në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, kreun e AKEP-it dhe me avokaten e Popullit Erinda Ballanca. Paketa anti-shpifje u dërgua në “Venecia” nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe OSBE, ndërsa mazhoranca bëri “një hap pas”, duke mos e votuar një prej projektligjeve në Kuvend pa marrë parasysh opinionin e Komisionit të Venecias. Paketa anti-shpifje është kundërshtuar nga komuniteti i gazetarëve në vend, të cilët kanë dalë edhe në një protestë duke e cilësuar si një censurë të lirisë së shprehjes, por mazhoranca nga ana e saj kërkon që të ketë ndryshime në ligj, në mënyrë që jo kushdo të ketë mundësi të shpifë për këdo, pa pasur asnjë fakt.
Delegacioni nga Komisioni i Venecias po zhvillon vizitë dy-ditore në Tiranë dhe opinioni i tyre pritet të miratohet në Sesionin e 122 Plenar të Komisionit të Venecias që do të mbahet me 20 – 21 mars 2020.