Mazhoranca socialiste nuk ka humbur kohë për t’i rrudhur kompetencat presidentit Ilir Meta.
Pak ditë më parë, Komisioni i Ligjeve, në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dhe miratoi dy projektligjet, përkatësisht “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar””, për të kufizuar të gjitha tentativat e Metës për të bllokuar reformën në drejtësi dhe institucionet e dala prej saj.
Kreu i shtetit ka nisur një luftë të fortë me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe ka futur në kaos Gjykatën Kushtetuese me dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të saj. Përmes propozimeve të ndryshuara në ligj që pritet të miratohen ditën e nesërme në seancë plenare, synon dërgimin e betimit me shkrim nëse presidenti Ilir Meta nuk organizon ceremoninë e betimit brenda një afati kohor. Pra, betimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë organizohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor brenda 10 ditëve. Nëse anëtari i Gjykatës së Lartë nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë të nënshkruar personalisht Këshillit të Lartë Gjyqësor, po ashtu edhe për prokurorët e SPAK. Por e njëjta gjë do të ndodhë edhe me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët mund të betohen me shkrim dhe më pas ta dërgojnë atë në zyrën e presidentit.
Kaosi me Xhaferllarin
Por pavarësisht se mazhoranca do miratojë ligje për izolimin e Metës, ata janë tërhequr nga neni 2, i cili parashikonte se betimi me ceremoni te presidenti apo me shkrim do të përkonte me fillimin e detyrës. Kjo pikë ka futur në ngërç Gjykatën Kushtetuese, pasi për të njëjtën vakancë janë dy anëtare, Marsida Xhaferllari e cila u betua te presidenti dhe Arta Vorpsi, e cila u betua me shkrim te një notere. Por emërimi i Xhaferllarit në Kushtetuese është bërë në shkelje të ligjit, pasi Xhaferllari nuk ka kaluar asnjë shkallë të vetingut. Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit janë shprehur se Marsida Xhaferllari nuk mund t’i nënshtrohet vetingut, pasi ajo nuk është magjistrate. Por ligji për Gjykatën Kushtetuese e ka të përcaktuar qartë se anëtarët për në Kushtetuese duhet të jenë magjistratë dhe të kenë kaluar procesin e rivlerësimit.
Xhaferllari është pjesë e Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, ku gjatë kohës që ajo është emëruar anëtare janë marrë rreth 60 vendime dhe një pjesë e tyre mbajnë firmën e saj. Por sa të ligjshme janë vendimet kur është shkelur ligji për Gjykatën Kushtetuese? Kur Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale, pritet që të caktohet se kush do të jetë anëtare në Kushtetuese, Arta Vorpsi apo Marsida Xhaferllari dhe sa të ligjshme do të jenë vendimet që mbajnë firmën e saj. Pra, emërimi i Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese tregon edhe një herë që presidenti Ilir Meta është jo vetëm në shkelje të ligjit, por edhe shkaktar për ngërçin e krijuar në organet e drejtësisë.
Drafti kundër KÇK
Por në seancën plenare të ditës së nesërme do të kalojë me procedurë të përshpejtuar edhe drafti kundër KÇK. Pak ditë më parë, qeveria e miratoi këtë draft në formën e një akti normativ dhe brenda 45 ditëve ai duhet të kalojë për votim. Në seancën plenare ky draft do të miratohet që të kalojë me procedurë të përshpejtuar në komisionet parlamentare dhe javën e ardhshme do të kalojë për votim në seancën e radhës plenare./Sot/ ELISJEDA KIKO