Sevilla e ka eliminuar Manchester Unitedin për të arritur finalen e gjashtë në histori në Europa League. Spanjollët triumfuan 2-1 kundër anglezëve.
Manchester United i Ole Gunnar Solskjaer, që shihej si favorit për të triumfuar në Europa League, do t’i bëjë gati valixhet që sonte për t’u rikthyer në shtëpi.
“Djajtë e Kuq” janë befasuar nga Sevilla në gjysmëfinale, duke humbur me rezultat 2-1, për ta mbyllur kështu sezonin 2019/20 në mënyrën më të keqe.
United e nisi mirë takimin, Bruno Fernandes e konkretizoi në gol penalltinë e fituar nga Marcus Rashford në min e 9′.
Sevilla reagoi në minutën e 27’, Suso e dërgoi topin në rrjet për 1-1 pas një asistimi nga ana e Sergio Reguilon, me të cilin rezultat edhe përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, në minutat e para United pati një mori rastesh, por nuk i konkretizuan ato dhe ligji i pashkruar i futbollit thotë ‘kur nuk shënon e pëson’, ashtu ndodhi me “Djajtë e Kuq”.
Në minutën e 78’, i inkuadruari në lojë në pjesën e dytë, Luuk de Jong, arriti të shënojë për ta kaluar në epërsi Sevillën dhe për ta kualifikuar në finale, pasi pavarësisht tentimeve deri në fund, të besuarit e Solskjaer nuk arritën të bëjnë më shumë.