Nga Ylli Pata
Ka rënë në sy menjëherë pas shpalljes së operacionit Anti-KÇK, një tendencë debati nëpër studiot televizive, që duket se shkon jo lineare më sensibilitetet e opinionit publik në Shqipëri.
Në emisionet e darkës së të hënës, është ngritur një alarm mbi argumentin se si akti normative i qeverisë, ashtu edhe trupat operacionale, apo dhe nisja e aksionit, janë në shkelje ligjore apo po veprojnë në teprim të ligjit, duke shkelur të drejtat njerëzore.
Në fakt bëri përshtypje ky alarm që u ngrit nga juristë apo përfaqësues që janë afër opozitës, PD-së dhe LSI-së.
Dhe kjo përshtypje po merr një kahje thuajse kryesore të qasjes politike të analistëve apo komentatorëve pranë opozitës.
Një kritikë, apo disa të tilla, sulme e akuza ndaj qeverisë është gjëja më normale që mund të bëjë një opozitë apo njerëzit që e mbështesin, është pikërisht puna e tyre, duke përfaqësuar njerëzit që nuk e duan këtë qeveri.
Por problem është se kemi të bëjmë me një çështje kardinale, siç është lufta ndaj krimit të organizuar, ku duhet të ketë një qëndrim përgjithësisht bipartizan.
OJF apo anti-KÇK-ja është një masë e cila nuk është se është bërë për herë të parë në Shqipëri. Ajo është pjesë e modelit italian të Antimafia-s, apo atij amerikan, që prej luftës që Prokuroria e Nju Jorkut me në krye Rudy Gulianin nisi në vitet ‘80-ë të shekullit të shkuar kundër bosëve të Cosa Nostra-s, operacion që filloi me të famshmin Pizza Conection, ku u shkatërruan “Pesë Familjet” e famshme të Nju Jorkut.
Madje në SHBA nisi operacioni i sekuestrimit të pasurisë së krimit, ku FBI hartoi kërkesat ligjore të provuara katërcipërisht, çka detyroi gjykatat spartane të SHBA që të linin mafiozët pa asetet e tyre kriminale.
Në SHBA ky precedent është zbatuar jo vetëm për krimin e organizuar, por edhe për abuzimin e koorporatave apo kompanive gjatë krizave financiare, çka ka sjellë sekuestrime në masë.
Por në Itali, sekuestrimet masive nisën pas viteve ‘90, kur dhe Giovani Falkone, në punën e tij të shkurtër, po shumë të suksesshme si drejtues i Zyrës Penale të Ministrisë së Drejtësisë italiane, hartoi ligjet e famshme mbi të penduarit e mafies, atë për burgjet, apo 41 bis, si dhe sekuestrimin e pasurive të mafiozëve.
Ishin pikërisht këto ligje që do t’i kushtonin jetën Falcones, në atentatin e tmerrshëm me 400 kilogram tritol pranë Capaci-t në Siçili.
Vetë Toto Rina, pas vrasjeve të Falcone-s dhe Borsellino-s, i kërkoi krerëve të politikës italiane me anë të një kërkese të quajtur “ il Papello”, rrëzimin e ligjeve të burgut të ashpër, sekuestrimit dhe atë të penduarve.
Kjo shkaktoi një tronditje të fortë në shoqërinë italiane, çka solli revoltimin masiv ndaj klasës politike që mbështeste bosët e mafias. Si përfundim u rrëzua ajo që quhej “Republika e Dytë”, apo oligarkia e “Pesë Partive”.
Ardhja e Azeglio Çiampit si kryeministër, nga posti i guvernatorit të Bankës Qendrore, çoi në një ashpërsim të masave ndaj mafies. Në Siçili dhe Napoli u dërgua ushtria, e cila mbështeti policinë në zbatimin e sekuestrimeve masive të pronave të Cosa Nostra-s.
Shembulli më emblematik është pikërisht fshati Corleone, foleja e klanit më të egër të Cosa Nostra-s, që drejtohej nga Totto Riina dhe Bernardo Provenzano.
Pronat e tyre sot, të cilat janë shumë të mëdha, administrohen nga një kooperativë publike për të promovuar punësimin e të rinjve, të cilëte kanë kthyer në një agroturizëm fantastik, që mbrohet, financohet e promovohet nga shteti, duke siguruar të ardhura lumë, dhe natyrisht mirëqenie për banorët e zonës.
Në fillim ishte e vështirë, por tani Corleone, edhe prej historisë së mafia-s, është kthyer në një peligrinazh për turistët nga e gjithë bota.
Ndërkaq, debati i nisur në Shqipëri prej të ashtuquajturve “spartanë të ligjit” që sillen më “katolikë se papa” në këtë aspect, duket se është me nonsens.
Pasi bëhet fjalë për persona që janë dënuar apo akuzuar për krime të tmerrshme dhe që zotërojnë pasuri marramendëse.
Nëse njerëzit që administrojnë këto pasuri kanë kontestime, është gjithmonë gjykata që i mbron sepse ajo e thotë fjalën e fundit.
Sidomos me reformën në drejtësi, vendimi i gjykatës është përcaktues për çdo veprim.
Ndërhyrja e operacionit anti-KÇK nuk është gjë tjetër veçse një aksion paraprak që e kryen çdo polici në botë, aksion që do të duhet të vuloset më pas në gjykatë.
Qeveria mund dhe duhet të kritikohet për efikasitetin e operacionit, për mos përdorimin e tij politikisht, për spektaklin e panevojshëm e ndoshta edhe të dëmshëm, por nuk mundet një opozitë politike apo përfaqësues të opinionit publik të marrin anën e atyre që rrezikohen nga sekuestrimi pasurisë.
Këtë mund ta bëjnë vetëm avokatët e tyre apo edhe shtresa margjinale e lokale politike e jo opozita primare që pret të qeverisë vendin.
Pasi kjo jep përshtypjen e një mbështetje politike të kësaj shtrese.
Në Itali, edhe pse ka pasur shumë debat për ligjet drakoniane antimafia, ku është diskutuar pa fund në panelet e Maurizio Costanzo-s në Canale 5 etj, politika ka pasur qëndrim linear.
Ato ishin debate fantastike ku Falcone e kritikët e tij janë përplasur për disa vite në diskutime të zjarrta në media për ligjet drakoniane. Në një nga këto emisione ikona e luftës ndaj mafias ngriti gishtin ndaj politikës italiane duke e akuzuar si mbështetëse e fortë e mafias, çka më pas solli revoltën popullore.
Megjithatë, si qeveria e socialistit Guliano Amato, e cila nisi zbatimin e ligjeve antimafia-s, ashtu ajo teknike e Ciampit, por edhe më pas qeveria e djathtë e Silvio Berlusconit e më pas e Lamberdo Dinit e me radhë, zbatuan pa asnjë hezitim ligjet drakoniane që hartoi Falcone, që ishin amaneti i tij i madh.
Tashmë gjithçka është kthyer në normë, ku sekuestrimi është një nga procedurat rutinore të prokurorive antimafia në të gjithë Italinë. Veprim që natyrisht sjell një reduktim të forcës e pushtetit të krimit të organizuar.