Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj ka komentuar paketën anti-KÇK dhe thotë se menjëherë pas sekuestrimit të pasurisë të elementëve kriminale, ato mund të përdoren nga institucionet.
‘Me sekuestrimin i hiqet menjëherë pasuria atyre elementeve dhe mund t’i kalohet institucioneve. Kjo nuk përbën dallim nëse personi është në kërkim ose jo, por të gjithë që përfshihen në kategorinë e krimit të organizuara dhe terrorizmit. Me një kërkesë të OFL drejtori i përgjegjshëm vë sekuestro dhe brenda 24 orëve ia kalon prokurorit. Prokurori ka 15 ditë kohë, Gjykata dhe apelimi 15 kohë të veçanta. Me sekuestrim mund të vendoset disponimi në favor të institucioneve, i hiqen direkt’ tha Hodaj për Report TV.
Një tjetër dallim në ligjin anti-KÇK është që nuk fokusohet thjeshtë tek masa me karakter pasuror, por edhe me karakter personal, theksoi Hodaj. Ai shtoi gjithashtu se në asnjë pjesë të ligjit policia nuk merr kompetenca të gjyqësorit.
‘Gjithë puna është i bazuar te SPAK. Nuk ka asnjë moment në ligj që policia të marr kompetencat që i kalojnë gjyqësorit. Është në dy hallka, kontroll nga Prokurori dhe Gjykata. Nuk merret me një hetim individual. Legjislacioni që kemi sot është më i miri dhe më agresivi. Nëse deri dje OFL ishte organizuar si një task forcë operacionale, sot është e ligjëruar. Nuk shoh në ligj të ketë një pikë përplasje’ tha Hodaj.
Në lidhje me numrin e efektivëve të OFL që janë në terren, Hodaj theksoi se “janë 60 efektivë, ka dhe një pjesë të madhe që bëjnë pjesën e inteligjencës, informacionit, hetimin dhe numri në total i kalon 100′.