Nga Rigels Seliman
Ardhja e ambasadores së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim në Tiranë, duket se ka ulur politikanët shqiptar me këmbë në tokë dhe sidomos presidentin Ilir Meta. Prej gati një viti Shqipëria është përfshirë nga një krizë e rëndë politike dhe kushtetuese, ndërsa politikanët, përfshi këtu edhe presidentin bëjnë fajtor njëri-tjetrin për situatën.
Por në të gjithë këtë odise përplasjesh, tërheqjesh, bie në sy fakti se politikë të fortë po bën edhe Meta, i cili qysh nga maji i vitit të kaluar, ka zhveshur kostumin e kreut të shtetit, ndërkohë që me një gjuhë që është e denjë vetëm për një “rrugaç” sulmon trupin diplomatik, teksa e ka bërë përgjegjës për krizën politiko-institucionale, në të cilën ndodhet vendi. Madje, me një gjuhë që do ishte e denjë vetëm për një politikan radikal, Meta ka akuzuar ambasadorët e atashuar në Shqipëri se janë të korruptuar dhe të kapur nga qeveria, ndërsa me të njëjtën retorikë ka atakuar edhe reformën në drejtësi. Mirëpo, kulmi i këtij sulmi ishte kur kreu i shtetit sulmoi me emër ish-ambasadorin amerikan, Donald Lu, duke e cilësuar si një diplomat të njëanshëm.
Këto deklarata të lëshuara nga Meta, bën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i tërhiqnin vëmendjen kreut të shtetit shqiptar përmes zyrtarëve të saj, ndërsa reformën në drejtësi e cilësuan si të suksesshme dhe investim të tyre. Kjo do të thotë se nga gjithë kjo “luftë” më i humbur ka dalë presidenti Meta, i cili dy javët e fundit ka ndryshuar 360 gradë kurs. Si për koeçidencë, sapo në Shqipëri erdhi ambasadorja e re e SHBA, Meta është shfaqur në publik si një burrë shteti i vërtet. Këtë konstatim, e tregojnë fare qartë deklarata dhe reagimet e tij të fundit, ku ai përpiqet të jetë racional e objektiv, ndërsa për krizën politike bën fajtore edhe mazhorancën edhe opozitën.
Ndërkohë, nuk ndalet me kaq, pasi zoti Meta ka ndërprerë edhe sulmet edhe ndaj ndërkombëtarëve, duke treguar se po tenton të qetësojë marrëdhëniet veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, kreu i shtetit përmes kësaj strategjie kërkon që të dalë i “pastër” nga kjo fabul dhe në të njëjtën kohë po tenton që të dalë si një president që qëndron mbi palët në sytë e ambasadores së re amerikane, zonjës Yuri Kim. Thënë ndryshe, presidenti Meta po tenton të qetësojë marrëdhëniet me SHBA, pas sulmeve që ka lëshuar në adresë të këtij vendi mik për Shqipërinë, ndërkohë që ka ndërprerë edhe sulmet ndaj reformës në drejtësi dhe Ramës, duke qenë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbështesin.
Por në këto kushte kushdo që e ndjek politikën, me të drejtë pyet: Çfarë po ndodh me presidentin Ilir Meta që ka ndalur sulmet ndaj reformës në drejtësi, qeverisë “Rama” dhe ndërkombëtarëve?! A është i shqetësuar presidenti Meta dhe a kemi të bëjmë me një Mea Kulpa nga ana e kreut të shtetit? Megjithatë, përpara se të marrim përgjigje për dy pyetjet e shtruar për sa më sipër, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se sa do të zgjasë qetësia dhe dashuria e Metës për amerikanët dhe reformën në drejtësi. /Ekskluzive.al