Një skandal financiar me tenderat publikë, me vlerë 60 milionë dollarë, i ngjashëm me atë të ‘Fazlliçit’ në Shqipëri, ka shpërthyer në Zimbabve, fijet të cilit të çojnë nga presidenti i vendit afrikan deri në Tiranë. Aferat në vendin afrikan lidhen me procedurat e dyshimta tenderuese për situatën emergjente covid-19.
Ditën e djeshme është arrestuar si i dyshuar për korrupsion ministri i Shëndetësisë në Zimbabve, Obadiah Moyo, i cili sot u la i lirë me garanci pasurore prej 50 mijë dollarësh. Disa ditë më parë, u arrestuar edhe Dalish Nguvaja, i cili dyshohet se ka lidhje të forta me Kollins Mnangagva, djali i Presidentit të vendit, Emmerson Mnangagva. Dalish Nguvaja është ‘partneri’ i biznesmenit shqiptar, Ilir Dedja.
Shqiptari Ilir Dedja nyja lidhëse
Mediat në Zimbabve raportojnë se nyja lidhëse e këtij skandali financiar është Ilir Dedja, një personazh i lidhur me koncesione në Shqipëri, i lindur në një fshat të Belshit, i cili po hetohet për pastrim parash, në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të Zimbabve.
Ilir Dedja, i cili ka kaluar vite si tregtar i mishit në Itali, duke fituar shtetësinë, përflitet sot në Zimbabve ashtu si Fazlliçi disa vite më parë në Shqipëri, gjatë qeverisjes së PD. Dedja është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas një investigimi të kryer nga ‘Zimlive’ një media vendase në Zimbabve, Ilir Dedja, përmes dy kompanive të regjistruara në Zvicër dhe Dubai, Drax Consult SAGL dhe 3-DD Sëiss Trading, ka lidhur dy kontrata me qeverinë e Zimbabve për blerjen e materialeve anti-Covid, me vlerë 20 milionë USD dhe 40 milionë USD.
Roli i dyshimtë i Gerti Bogdanit, fotoja komprometuese
Gjatë udhëtimeve drejt Zimbabve, Ilir Dedja befas shfaqet me në krah ish-deputetin e Partisë Demokratike, Gerti Boganin. Ish-kreu i forumit rinor demokrat Gerti Bogani shfaqet në një foto tejet komprometuese me Ilir Deden dhe partnerët e tij në Zimbabve, protagonistë të skandalit që ka shpërthyer në Zimbabve dhe që ka përfshirë në hetimet edhe autoritetet Hungareze.
Në foto shfaqen në zyrën e Presidentit të Zimbabve, Gerti Bogani, Ilir Dedja, vetë presidenti i Zimbabve Emmerson Mnangagva, ndërmjetësi Dalish Nguvaja dhe guvernatori i Bankës Rezervë të Zimbabve John Mangudya. Udhëtimi i Ilir Dedes me Gerti Boganin në Zimbabve duket se nuk është i rastësishëm. I kërkuam Bogdanit një sqarim se në ç’rrethana ishte gjendur në krah të Ilir Dedes dhe grupit të Zimbabve, por nuk morëm përgjigje.
Hetimet nisën në Hungari
Hetimet fillimisht kanë nisur në Hungari për pastrim parash, pasi kompania e Ilir Dedes, Drax Consult SAGL, mori me 5 mars 2020 një pagesë përmes bankës prej 2 milionë dollarësh nga qeveria e Zimbabve, lidhur me dy tendera në fushën e shëndetësisë për blerjen e materialeve anti-Covid. Sipas ‘Zimlive’, dokumentet zyrtare tregojnë se Dedja hapi dy llogari bankare për Drax Consult SAGL me MagNet Bank në Budapest në 6 dhjetor 2019. Njëra ishte një llogari në dollarë dhe tjetra në monedhën vendase. Sipas një dokumenti të nënshkruar nga sekretari i përhershëm i Ministrisë së Financave, George Guvamatanga, Dedja do merrte edhe 18 milionë USD të tjera, 1.5 milion dollarë amerikanë çdo muaj,
Kur pagesa prej 2 milionë USD iu referua Interpolit, kompania e Ilir Dedes hapi një degë të re në Dubai, nga ku i dërgoi Zimbabve një faturë të re me gati 1 milion dollarë amerikanë për t’u paguar. Autoritetet hungareze kanë kërkuar më shumë informacion nga autoritetet e Zimbabve rreth transaksioneve në fjalë. “Këto kompani mund të jenë të lidhura me kompani të tjera që kanë qenë subjekt i një hetimi penal,” shkroi zyra e Interpol Budapest në një letër të 29 Prillit drejtuar Policisë së Republikës së Zimbabve (ZRP), duke kërkuar më shumë informacion mbi pagesën prej 2 milionë dollarësh.
Dy shkeljet me tenderat
Sipas medias ‘Zimlive’ dy janë shkeljet e identifikuara deri më tani. Së pari, kompania e Ilir Dedes u ka paraqitur fatura të fryra dhe çmime jashtë realitetit për furnizimin e me materiale anti-covid-19. Së dyti, dy kompanitë e Ilir Dedes rezultojnë se nuk janë të regjistruara në Autoritetin Rregullator të Prokurimit të Zimbabve (PRAZ), një kërkesë ligjore për të gjitha kompanitë që furnizojnë qeverinë. Ndërkaq, kontratën me Ilir Deden e ka nënshkruar kompania shtetërore e Zimbabve, “Natpharm”. Kjo e fundit është në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas ‘Zimlive’, e cila u referohet dokumenteve të Interpolit dhe policisë, në këtë skemë është përfshirë edhe Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Financave, George Guvamatanga, i cili kishte shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë të kryente sa më shpejt pagesën për materialet anti-Covid. Ndërkohë, gjatë një fjale në Parlament ai ia la përgjegjësinë Ministrisë së Shëndetësisë, pasi pretendon se procesi duhej kontrolluar nga kjo e fundit. Në vijim të hetimeve, dje u arrestua ministri i Shëndetësisë Obadiah Moyo.
Partneri i Ilir Dedes në Zimbabve
Ilir Dedja ka udhëtuar për në Zimbabve për t’u takuar me partnerin e tij, Dalish Nguvaja, i cili përshkruhet si një personazh me ndikim në qarqet qeveritare të Zimbabve, por edhe për CV-në e tij kriminale. Nguëaya cilësohet nga media vendose si kriminel që akuzohet për drogë, zhvatje dhe falsifikime. Ai konsiderohet si person i afërt me familjen e Presidentit të Zimbabve Emmerson Mnangagëa dhe duke shfrytëzuar lidhjet e dyshohet se ka futur në lojë Ilir Deden. Nguvaja mohon një partneritet biznesi me djalin e Mnangagua. Collins, ndërkohë, me anë të një deklarate ka mohuar madje një marrëdhënie shoqërore me Nguvaja . “Ne na janë dhënë fotografi, megjithatë, ku tregohet se Collins dhe Nguvaja po bënin blerje për makina luksoze në Dubai dhe marrin pjesë në funksione shtetërore së bashku”, shkruan “ZimLive”
Anulohet kontrata për barnat
Media në shtetin afrikan “ZimLive” shkruan se qeveria vendase ka anuluar një marrëveshje korruptive të prokurimit me vlerë deri në 60 milion dollarë amerikanë të nënshkruar me një kompani të afërt me një nga djemtë e Presidentit Emmerson Mnangagua. Gjithashtu, pas një proteste publike e cila ka nxitur donatorë ndërkombëtarë, Ministria e Shëndetësisë tani i ka kërkuar kompanisë shtetërore farmaceutike (NatPharm) që të ndërpresë “të gjitha” kontratat ekzistuese me Drax.
Presidenti Emmerson Mnangagva me dhjetëra fëmijë!
Zimbabve aktualisht është bllokuar në një krizë ekonomike e cila e ka nxitur ministrin e Financave t’i shkruajë Bankës Botërore dhe FMN duke kërkuar fonde urgjente, duke paralajmëruar vendin të përballet me një “katastrofë shëndetësore dhe ekonomike”. Sipas medias ‘Zimlive’ presidenti Emmerson Mnangagva erdhi në pushtet përmes një puçi ushtarak, me premtimin se do të luftojë korrupsionin.
“Askush nuk e di se sa fëmijë ka Mnangagëa, megjithëse disa thonë se mund të jenë në dhjetëra. Por për tre djemtë e tij me gruan e tij aktuale, Auxillia, presidenca e babait të tyre ka siguruar një mundësi për grumbullimin e pasurisë. Djemtë, të cilët përfshijnë një grup binjakësh, Collins dhe Shaun, kanë qenë duke kapur pasuri të patundshme në kryeqytetin Harare. Rrugët e tyre janë kaq të mbushura me makina luksoze, tha një burim, nëna e tyre shpesh largohet nga zhgënjimi kur dështojnë të parkojnë brenda”, shkruan Zimlive’.
m.x./Shqiptarja.com