Prokurori Anton Martini e kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut. Dje Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta konfirmojë në detyrë, duke rritur shanset që numri i hetuesve në SPAK të shkojë në 12. Por përgjigjen do e japë Komisioneri Publik, i cili ka afat 15 ditë të informojë nëse do të ankimojë vendimin e Komisionit apo jo.
Kujtojmë se prokurori Anton Martini, është një nga 15 hetuesit e përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e SPAK, por mospërballja e vetingut në atë kohë, e ka lënë jashtë këtij institucioni. Dje Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta konfirmojë në detyrë, pas dy seancash dëgjimore. Në seancën e parë u relatuan gjetjet, duke caktuar dhe datën e dhënies së vendimit, por KPK një ditë pas kësaj seance dëgjimore, njoftoi se ka rinisur hetimi për prokurorin.
Në seancën e dytë, e cila u mbajt të hënën e 27 janarit, relatorja bëri me dije se kishte ardhur një denoncim në emër të prokurorit. Denoncuesi, sipas relatores kishte dyshime se prokurori disa dosje hetimore ia ka hequr një prokurori për t’ia kaluar një tjetri, pa respektuar procedurat e shortimit, gjithashtu ka pranuar dorëheqjen e një prokurori nga një çështje dhe kishte bërë caktimin e një prokurori tjetër. Po ashtu, është konstatuar se 12 raste nga 30, i janë kaluar një prokurori të vetëm. KPK përmendi edhe zëvendësimin e një prokurori, me kërkesë të familjarëve të të pandehurit.
KPK i ka kërkuar prokurorit shpjegime për riorganizimin e prokurorisë dhe për respektimin e kritereve ligjore për procedurën e shpërndarjes së çështjeve, gjithashtu për procedurat e shortit të zhvilluar për zëvendësimin e prokurorëve, nëse ka pasur trajtim të njëjtë të prokurorëve. Në fjalën e tij, prokurori tha se kur ka marrë postin e kryeprokurorit, ka nisur punë me riorganizimin për shkak të fluksit të punës.
“Gjeta një prokurori që kishte humbur besimin e qytetarëve, për të krijuar një impakt pozitiv te qytetarët. Sa për zëvendësimet, duhet të veproja në këtë formë sepse kishte fluks pune. Kishte probleme me afatin e hetimeve”, tha Martini. Në seancën e parë u relatuan disa gjetje në pasuri dhe në aftësitë profesionale, ndërsa në aspektin e pastërtisë së figurës, Martini u vlerësua pozitivisht.