NGA RIGELS SELIMAN
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se kanë hyrë në një luftë të ftohtë me njëra-tjetrën. Gazeta e ka deklaruar se përplasjet dhe divergjencat brenda opozitës janë shtuar ndjeshëm, por këto sherre kanë arritur kulmin ditët e fundit, pas zërave se gjatë këtij vitit vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Sipas informacioneve, mësohet se disa nga mbledhjet e zhvilluara gjatë këtyre ditëve në disa rrethe të ndryshme të vendit, ku të pranishëm kanë qenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe ish-deputetë ka pasur debatet të forta, ndërkohë që nuk kanë munguar pakënaqësitë, përplasjet, madje edhe gërshetimi i ideve. Rasti më i freskët vjen nga qytetit i Fierit, ndërsa shkak është bërë bashkëpunimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Baza e prerë kundër koalicionit me Kryemadhin
Burime nga këto mbledhje theksuan për gazetën se baza demokrate është rreshtuar hapur kundër koalicionit me LSI. Në këtë pikë, mësohet se baza demokrate teksa është shprehur kundër bashkëpunimit dhe koalicionit me partinë e Kryemadhit, janë shprehur se me këtë forcë politike ka më shumë gjëra që i ndajnë se sa e bashkojnë. Madje, duke qenë se këtë vitit, veçanërisht në vjeshtë pritet që të ketë zgjedhje të parakohshme, mësohet se demokratët janë shprehur se një koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Socialiste për Integrim do ta dëmtonte tej mase Partinë Demokratike, pasi për ta LSI është një parti që shkon nga fryn era dhe se asaj nuk duhet që t’i zihet besë. Ndërkohë nga ana tjetër mësohet se demokratët kanë kërkuar që si PD ashtu edhe LSI të dalin më vete në zgjedhje.
Megjithatë, mësohet se për demokratët kjo është një strategji e mirëmenduar, pasi në rast se ata dalin forcë e parë në zgjedhje dhe nuk kanë nevojë që të kenë ndihmën e partive të tjera për të formuar qeverinë, shanset e bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim janë zero. Pra, demokratët nuk e duan një bashkëpunim me LSI, pasi kjo e fundit do ta përdorë këtë raport për interesat e saj.
Demokratët llogari të dërguarve të Bashës
Por bashkëpunimi dhe zyrtarizimet e koalicioneve nuk ishin të vetmet çështje që janë diskutuar në këto takime, sikundër ishte ai i ditës së djeshme në qytetin e Fierit. Burime nga këto mbledhje i pohuan gazetës se anëtarët demokratë janë shfaqur tejet të revoltuar, madje edhe të ndarë sa i takon aksionit opozitar. Sipas informacioneve, mësohet se një pjesë e anëtarëve që njihen si mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha ka kërkuar që Partia Demokratike dhe aleatët e saj të nisin protestat kundër qeverisë, pasi sipas tyre, kjo është e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet. Por kjo gjë duket se është injoruar, pasi shumica dërrmuese e bazës janë njerëz të kryedemokratit Lulzim Basha dhe se për ta në këto momente PD duhet të shtojë takimet me bazën dhe të merret me platformën që do të paraqesë para qytetarëve në mënyrë që të fitojë besimin e tyre për të ardhur në pushtet. Po ashtu, mësohet se baza demokrate ka dalë edhe kundër deklaratave të Berishës, i cili kërkon revolta, duke renditur edhe disa arsye se përse nuk pajtohen me të.
Së pari, mësohet se ata kanë dalë kundër, pasi PD duhet të vijë në pushtet me votë dhe jo me dhunë sikundër artikulon Berisha. Së dyti, ata kanë sjellë gjatë diskutimeve në vëmendje dhunën e vitit 1998, ku asokohe Partia Demokratike u përpoq të vinte në pushtet përmes rebelimit, por që më pas këtë ëndërr ua shuajtën ndërkombëtarët. Kështu që edhe baza demokrate sipas informacioneve të gazetës i ka kërkuar Bashës që të distancohet nga ky projekt i Berishës, pasi në kushtet aktuale, ku sipas tyre PD po ringrihet, ai skenar do ta dëmtonte shumë Partinë Demokratike.