Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, e nisi me ngushëllime për jetët e humbura në Shqipëri nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa ndau personalisht ngushëllimet për vetë kreun e qeverisë që humbi të fejuarën e djalit të tij.
“Kryeministër Edi Rama është kënaqësi t’iu shohim sërish. Ne jemi të gjithë të shokuar nga tërmeti që goditi Shqipërinë nëntorin e kaluar. Të gjithë ndjemë dhimbjen e atyre që vuajtën. Edi, ju përjetuat gjithashtu një humbje personale, Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta, për të gjitha ata që humbën të dashurit nga tërmeti. Ne qëndrojmë dhe veprojmë bashkë kur njëri vuan”, tha Jens Stoltenberg.
Pak muaj më parë Edi Rama i pyetur nga gazetari Sokol Balla se cila ishte lidhja e tij me viktimën e tërmetit, Rama tha se ndodhej në një pozicion të vështirë dhe në mes të fjalisë është përlotur dhe është larguar nga intervista.
“Nuk dua të flas për gjëra që lidhen me aspekte personale dhe gjëra të djalit. Unë sot jam në një pozitë të pamundur ta shpjegoj.Ndoshta është shumë e vështirë që të kuptohet nga ata që e konsiderojnë politikën një mizerabilitet apo një instrument për të vjedhur. Dhe që kujtojnë se të gjithë jemi njësoj, dhe që kujtojnë se unë rri këtu dhe po jap mish e shpirt për lekë, por miqësia imë është shumë e fortë dhe unë i kam të gjithë këta njerëz të prekur si Gregun. Isha me…”, tha Rama dhe largohet nga intervista.