Sot janë bërë 97 vite nga lindja e kompozitorit, baritonit dhe “Nderit të Kombit” Avni Mula.
Avni Mula ka lindur në Gjakovë në 4 janar të 1928, në një familje ku ishte i shtati fëmijë, më i vogli mes tre djemve dhe vajzave në atë familje.
Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik, bariton. Gjatë studimeve ai u njoh dhe u martua me sopranon ruse Nina Mula me të cilën kaloi një jetë të mrekullueshme.
Familja Mula është një nga Familjet e Mëdha të Artistëve shqiptarë, ku të gjithë anëtarët e familjes janë artistë: Avni Mula, Nina Mula dhe dy vajzat, Adelina Mula, pianiste dhe Inva Mula, me famë botërore.
Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës, etj.
Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.
Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.
Ai vdiq më 29 tetor të vitit 2020.