Kreu i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja ka mbyllur garën për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ditën e djeshme u bë publike lista me 40 emrat, të cilën kanë shfaqur interes për të qenë në krye të FBI shqiptare, mes të cilëve edhe 7 femra. Kreu i SPAK bëri me dije se ditën e hënë do të dalin emrat që plotësojnë kushtet dhe kriteret, të cilët më pas do të marrin pjesë në testet e përzgjedhjes.
Arben Kraja shtoi se Komisioni i Përzgjedhjes do të nisë menjëherë punën për të vlerësuar kandidatët sipas ligjit në fuqi “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. “Komisioni i Përzgjedhjes do të fillojë menjëherë procesin e vlerësimit për çdo aplikant për të identifikuar ata që plotësojnë ose jo kriteret ligjore sipas Ligjit për SPAK-un (Ligji Nr.95/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”). Të hënën në 3.02.2020, ne do të shpallim emrat e atyre që plotësojnë kriteret dhe që do të ftohen të marrin pjesë në testet e përzgjedhjes”, tha kreu i SPAK Arben Kraja.
Ja emrat e kandidatëve
Por kreu i Prokurorisë së Posaçme bëri publik 40 emrat e kandidatëve, ku ajo që bie në sy është se kanë aplikuar shumë funksionarë të policisë, por edhe prokurorë dhe juristë. I pari që ka aplikuar është Adriatik Ago, i cili mban postin e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, i cili pak kohë më parë kaloi me sukses vetingun në polici, ku rezultoi pa probleme në të tre kriteret e vlerësimit. Në listën e të interesuarve është edhe ish-oficeri i policisë, Gjovalin Ulndreaj, i cili ka shërbyer në polici deri në vitin 2003 dhe që prej këtij viti vazhdon të ushtrojë profesionin e avokatit në Shkodër.
Një tjetër emër që ka shprehur dëshirën për të qenë në krye të BKH është edhe Artan Shkëmbi, i cili është drejtues i njësisë Task-Force në Policinë e Shtetit, prej më shumë se 1 viti. SPAK shtoi gjithashtu se në listën e konkurrentëve gjendet edhe profesori Sabri Hoxha, i cili ushtron po ashtu profesionin e mjekut ligjor. Ai është diplomuar në mjekësi, inxhinieri dhe jurisprudencë, duke u pasuar më pas nga Ibrahim Disha, i cili ka shërbyer për disa vite në polici dhe që aktualisht jeton në Kanada.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili ka shfaqur interes për të qenë në krye të FBI shqiptare, ku pritet që t’i nënshtrohet procedurave të verifikimit nëse i plotëson apo jo kushtet për të qenë pjesë e BKH. Një tjetër emër që u bë publik nga kreu i SPAK është edhe ai i Aida Veizaj, e cila ka qenë ish-Drejtuese e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke vijuar më pas me Arben Karkinin, i cili është zyrtar i Hetimit Doganor. Por një tjetër funksionar policie që ka shprehur vullnet për të qenë në krye të BKH është edhe Atnan Shehu, i cili ka mbajtur poste të ndryshme në Policinë e Shtetit. Më tej lisa e publikuar nga kreu i SPAK vijon me Blerina Bajollari, e cila është kryekomisare, funksionare policie; Blerta Dervishi funksionare policie; Bujar Madani oficer i policisë gjyqësore; Dritan Osmani pjesë e Gardës së Republikës dhe Edmond Kasmi ish-drejtues Policie. Por në listë për të qenë në krye të BKH është edhe Ylli Pjetërnikaj, i cili është prokuror i komanduar në Tiranë, ish-drejtues i komanduar i Prokurorisë Shkodër.
Favoriti për të fituar
Por ndonëse 40 emrat thjesht kanë kandiduar, më favoriti për të qenë në krye të FBI shqiptare është Eduart Merkaj. Këtë të fundit e favorizojnë disa gjëra, ku më kryesoret vlen të përmenden trajnimet e shumta që ka bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se Uashingtoni ka qenë një mbështetje e fortë për reformën në drejtësi dhe ngritjen e organeve të reja, pritet që BKH t’i besohet pikërisht një individi që ka marrë leksione nga amerikanët. Por një tjetër fakt që e favorizon janë edhe rezultatet pozitive gjatë gjithë karrierës së tij që ka ushtruar.