Dje janë shënuar plot 26 vite nga zhdukja e mistershme e biznesmenit Remzi Hoxha. Ky i fundit u ekzekutua më 21 tetor të vitit 1995, ndërkohë që trupi i tij u zhduk nga Shërbimi Informativ Kombëtar dhe nuk është gjendur kurrë.
Për nder të biznesmenit të ndjerë ditën e djeshme është përuruar rruga “Remzi Hoxha” në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Për të treguar më tepër rreth këtij organizimi, dje në media ka folur edhe djali i tij, Ardian Hoxha, i cili u shpreh se pas vrasjes së të atit të tij fshihet Shërbimi Informativ Kombëtar i kohës kur në Shqipëri qeveriste Partia Demokratike.
Sipas tij, zbardhja e kësaj çështje është penguar nga politika, ndërsa bëri thirrje vetëm për drejtësi dhe zbulimin e eshtrave të të ndjerit Remzi Hoxha. “Shkupi është qyteti i tretë ku po bëhet ky organizim në nder të vendosjes së emrit të rrugës “Remzi Hoxha”. Edhe në Kaçanik ku është prejardhja e familjes tonë është rruga “Remzi Hoxha”. Po ashtu edhe në Ferizaj, atje ku ne jetuam pjesën më të madhe të jetës.
Ky përurim bëhet sot në 26 vite pas zhdukjes së tij. Me këtë rast është edhe një organizim në teatrin e Shkupit, me veprimtarë, familjarë dhe personalitete të tjera. Unë si djali i tij kam humbur shpresën te çdo person që merret me politikën, pasi asnjë nga ata nuk merren me zbardhjen e së vërtetës, për të zbuluar eshtrat e tij në mënyrë që edhe ne të jemi të qetë shpirtërisht. E vërteta e zhdukjes së tij dihet, me në krye drejtuesin e SHIK-ut. Edhe në gjykatë është vërtetuar se cilët kanë qenë personat që e kanë marrë.
Rasti jonë u shndërrua në një luftë politike. Por tani nuk na intereson më politika, duam vetëm eshtrat e tij”, deklaroi ai. Më tej djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha akuzoi ish-kryeministrin Berisha se ka bashkëpunuar me Millosheviçin. “Berisha për familjen tonë ka qenë “non grata” me vite. Me propagandën dhe mungesën e një media të lirë, ai ishte idhull i çdo shqiptari, deri sa u kuptua lidhja e tij me Millosheviçin dhe furnizimin e Serbisë me naftë, kur e gjithë bota i kishte vendosur embargo. Uroj që ky vendim t’i hapë sytë popullit në Shqipëri dhe të kuptojnë edhe ata se çfarë dëmi historik i ka shkaktuar vendit ky njeri”, nënvizoi Ardian Hoxha.