10 vite pa aktorin e shquar humorit, Vasillaq Vangjeli, i cili u shua në moshën 63 vjeçare, pas një ataku kardiak. Ai ishte shtruar në spitalin ushtarak për të marrë mjekim, pas një sëmundjeje prej të cilës vuante prej kohësh.
Vasillaq Vangjeli ishte një aktor i kthyer në idhull të batutës dhe humorit. Nëse publiku e identifikon me Koçin tek “Zonja nga qyteti” artistët , miqtë e tij e shohin përtej kinemasë, në skenën ku ai ka kontribuar me rreth 1000 role në Teatrin e Varietesë së Tiranës, në Teatrin Kombëtar, në një karrierë të shkëlqyer skenike prej 45-vjetësh. Aktor shumëdimensional, që vendos një gur më tej në radhën e personaliteteve të rëndësishme të a tij skenik shqiptar.
Humori i tij fuqidhënës është ngjallje e vetëbesimit. Vaso krijonte figurën e shkëlqyer të çdo karakteri duke hyrë thellë në lëkurën e personazhit . Aktor me një timbër të veçantë të zërit. Falë regjistrit vokal mund të shkonte pa më të voglin problem në të dyja skajet e mundshme. Ai ishte aktori brilant i britmës, ashtu si mund të ishte edhe aktori brilant i pëshpëritjes. Fuqia trupore, plasticiteti, shkathtësitë e përkryera artistike dhe mençuria e tij e shprehur gjatë çdo roli reflektonte inteligjiencën e tij si aktor.
Energjia që tregonte për të mbajtur spektatorin të mbërthyer deri në fund të shfaqjes, na bënin ta donim, ta adhuronim në çdo dalje skenike, ta duartrokisnim gjatë. Jam i nderuar që kam mundur ta kem pjesë të stafit në shfaqjet e komedisë “Lezeti i kolltukut dhe krevatit”, “Një burrë me dy gra” dhe “Gjashtë vjet shtatzënë”. I saktë dhe profesionist me një talent të lindur në artin e aktrimit, po aq sa edhe me humor në kapërcimin e çdo të papriture skenike. “Pse nuk ka luajtur në dramë, por vetëm në komedi?”, kam pyetur veten pse jo, sot kam vetëm një përgjigje që mbetet e thjeshtë – nuk ka pasur ofertë dinjitoze për talentin e tij. Historia kulturore është e mbushur me raste të aktorëve të pazbuluar në të gjithë dimensionin e tyre artistik. Vaso është njëri prej tyre. Jo rastësisht diplomën e mbrojti me rolin e Jonuz Brugës tek drama “Familja e peshkatarit”.
Vasillaq Vangjeli mbetet një aktor i shkëlqyer i dramës, por që nuk arriti ta tregonte fuqinë e tij dramatike. Sesa për zemër e kishte humorin e tregon lidhja e tij e ngushtë me miqtë dhe aktorët e rinj, që jo rrallë kanë nisur bisedat e para të shqetësuara për rolin në prezencën e këngës së tij, asaj kënge dhe fizarmonike që të çlironte dhe të shpinte brigjeve të tjera, tutje realitetit. Gëzimi dhe humori nuk ishin pronë e tij, por e të tjerëve, miqve dhe familjes, artistëve dhe dashamirësve të artit. Ai dinte ta faltte këtë dashuri, pa kushte, me shpirtin e pastër fisnik. Në festën e 60- vjetorit , Vaso i pikëlluar, me humor dhe zgjuarësi u shpreh se “Në këto vite artistike ëndrra ime në sirtar është që të dalin disa preparate, të më kthejnë në një moshë më të re dhe të më bëjnë mua sot 30 vjeç”
Është çuditshme që njeriu sa më shumë rritet në moshë aq më shumë rinohet në art që është pjekuria artistike. Vasillaq Vangjeli kishte ende shumë rrugë për të bërë. Artisti që na ka bërë të qeshim me batutat e tij do të mbahet mend për Koçin te “Zonja nga qyteti”, baletmaestrin te “Mirela”, apo për interpretimet te “Shoku ynë Tili”, “Dordoleci”, “Donkishoti”, etj. Për herë të fundit, Vangjelin e duartrokitëm në interpretimin e tij në shfaqjen “Harvey” të shfaqur premierë në Teatrin e Metropolit, aty ku aktori për vite me rradhë mori duartrokitjet e shumta të publikut. Përpara se të interpretonte te “Harvey”, ai ishte shprehur se kishte ende për të dhënë ndaj kishte filluar nga puna për rolin e tij në këtë komedi me regji të Hervin Çulit.
Pasi mbaroi Akademinë e Arteve në vitin 1975, roli i tij i parë në Teatrin Popullor ka qenë roli i një shoferi te drama “Lezja”, një dramë e Kiço Blushit me regji të Piro Manit. Artisti asnjëherë nuk e ka mohuar se edhe pse numëron më shumë role në komedi, gjithmonë e ka tërhequr më shumë teatri dhe drama. “Më ka ngelur peng gjithë jetën. Unë isha më shumë aktor i dramës, sesa i komedisë. Aksidentalisht kalova në komedi. Më ka pëlqyer tërë jetën drama dhe tërë jetën e kam parë veten mes teatrit dhe komedisë”, është shprehur Vasillaq Vangjeli në një intervistë dhënë pak kohë më parë. Me spontanitet të admirueshëm ai ka bërë për vete me qindra e mijëra spektatorë, duke u kthyer kështu në një ndër artistët më të dashur, sidomos në fushën e humorit e të skenës. Aktor tragjik-komik me cilësi të mëdha artistike, intuitë e depërtues i thellë në tipa e karaktere, I lindur në Fier në 19 shkurt 1948, nga një familje me origjinë nga Përmeti dhe i rritur në Tiranë, Vasillaq Vangjeli që në fëmijëri ka qënë i apasionuar me filmin dhe teatrin.
“Kam qenë djalë çapkën dhe karagjoz i lindur, siç më thoshin. Imitoja pleq, kalamaj. Shkoja që i vogël pothuajse çdo natë në estradë dhe imitoja Artistin e Popullit, Skënder Sallaku dhe më pëlqente të flisja në dialekte të ndryshme”, është shprehur më parë Vangjeli për mediat. Në vitin e tretë të mjekësisë aktori e braktis shkollën për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve. “Humori është dhunti e njerëzve të zgjuar. Jo gjithkush mund të bëjë humor. Aktori i humorit bën edhe dramën, edhe komedinë. Aktori i dramës nuk e bën dot edhe komedinë”, ka thënë Vangjeli. Ndër rolet e tij mund të përmendim: komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, “Tre ditët e qametit” të L. Qafezezit, “Mimoza pyeti zemrën”, telekomedi nga T.Miloti, “Tre dhëndurët “ e D. Bubanit, “Mirela” nga L. Bungo, “Një burrë me dy gra” nga R. Kunei, “Divorci” nga Sh. Mita, “Lezeti i kolltukut dhe i krevatit” nga M. Pertgui, komedinë “Gjashtë vjet shtatzënë”, etj.
Ndërsa në kinematografi ka interpretuar në filmat: “Toka e përgjakur”, e më pas me kryerolin e Koçit në filmin “Zonja nga Qyteti”, e me radhë në filmat “Pylli i Lirisë”, “Shoku ynë Tili”, “Kur ndahesh nga shokët”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Radiostacioni”, “Yjet mbi Drin”, “Ëndërr për një karrige”, “Dasma e shtyrë”, “Ne vinim nga lufta “, “Rrethimi i vogël”, etj.
Aktori i humorit, Vasillaq Vangjeli është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë. Shtëpinë e tij e kishte kthyer në lokal ku argëtonte të tjerët, por argëtohej edhe vetë. Edhe aty nuk e la humorin deri në fund të jetës, me barcaleta, ngjarje të vërteta e të sajuara. “pjesë e profesionit”-siç thoshte ai. Përgatiti: F.S.